Telegrafi

Hoti diskuton me BERZH-in për financimin e projekteve në Kosovë

Delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, i kryesuar nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti po merr pjesë në takimet e rregullta vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat po zhvillohen në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të BERZH-ës ministri Hoti ka zhvilluar edhe takime me presidentin e BERZH-it Suma Chakrabati, drejtorët e Konstituencës për Kosovë Sean Donald dhe Ove Jensen, me drejtorin Rajonal të BERZH-ës Massa Bernucci, si dhe me shefen e operacioneve të OFID-it Anajulia Taylhardat.

Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth financimit të projekteve në sektorin e hekurudhës, rehabilitimit të rrugëve rajonale përkatësisht, rrugët rajonale Kijevë – Pejë, Pejë – Prizren, Ferizaj – Gjilan dhe Mitrovicë – Pejë, si dhe për lëshimin e garancionit për trafikun urban në Komunën e Prishtinës.

Ministri Hoti gjithashtu diskutoi edhe rreth zhvillimeve ekonomike-financiare në vend, adresimit të sfidave ndërlidhur me këtë fushë, asistencës teknike dhe çështjeve tjera të ngjashme.
Gjatë këtyre takimeve është vlerësuar progresi i arritur deri me tani në Kosovë si dhe janë dhënë zotime nga të gjitha këto institucionet për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme për Republikën e Kosovës.

Në takimin e Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri Hoti në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shprehi mbështetjen për strategjinë e re të BERZH-it, e cila përfshinë mbështetje më të madhe për sektorin privat dhe dialogun për politika ekonomike. /Telegrafi/