Telegrafi

Hotelierët në Maqedoni: Nëse nuk marrim ndihmë, do t’i mbyllim bizneset

Nëse nuk ka ndihmë nga shteti, shumica e hoteleve që janë në tregun e lirë të energjisë elektrike do të detyrohen të vendosin që dyerve t’ua vendosi drynin. Objektet e mëdha hotelierike paguajnë taksa më të larta dhe janë punëdhënësit më të mëdhenj në industrinë e turizmit dhe deri më tani nuk është dhënë asnjë ndihmë për ta. Pa ndihmë specifike financiare, paga apo energji elektrike të subvencionuar, rreth 1.500 persona të punësuar në brigjet e liqenit të Ohrit mund të humbasin punën e tyre, thotë për “TVM” Krste Blazheski, kryetar i shoqatës së hotelierëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nën presionin e inflacionit, krizës energjetike dhe kostove të larta, ambientet hotelierike në vend nuk do të jenë konkurruese në tregun e rajonit, në ndryshim nga homologët e tyre në vendet ku marrin energji elektrike të subvencionuar.

“Nëse një hotel në Serbi paguan 12 denarë kilovat-orë rrymë dhe i njëjti hotel në Maqedoni duhet të paguajë 35 denarë, diferenca është e madhe dhe ne nuk jemi konkurrues”, shton Blazheski.

Shoqata e hotelierëve njofton se këto ditë do të paraqesë kërkesë zyrtare për të marrë ndihmë nga shteti./Telegrafi/