Site icon Telegrafi

Hotelierët e Kosovës kërkojnë heqjen e orës policore dhe lejimin e organizimit të ahengjeve

Foto: Ilustrim

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHTK) kërkon nga Qeveria e Kosovës që të largoj orën policore dhe të lejoj organizimin e ahengjeve në bazë të manualit, pas vendosjes së tyre si masë kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Me anë të një reagimi për medie, OHTK kërkon që të bëhet përkrahja financiare e bizneseve, veçanërisht për subvencionimin e qirave dhe kompensimi i pagave të punëtorëve.

“Zgjatja e orarit të punës për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pasmesnate; lejimi i punës për sallat e dasmave dhe klubet, sipas manualit të IKSHPK-së; të hiqet ora policore; të zgjatet afati për uljen e TVSH-së nga 18 për qind në 8 për qind, të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme; të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit; të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve; të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

“Po ashtu, të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm; të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe; dhe për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektorati të merret me atë biznes”, përfundon OHTK.

Ditë më parë, Qeveria kishte marr vendim për lehtësimin e disa nga masat kundër COVID-19, ku ka zgjatur orarin e punës për sektorin e gastronomisë.

Në vendim thuhet se sektori i gastronomisë lejohet të punojë deri në ora 23:00, kurse muzika lejohet deri në ora 21:30.

Gjithashtu, thuhet se hyrja në qendrat tregtare dhe ato të thirrjeve, kushtëzohet me posedimin e kartelës së vaksinimit apo testin anti-gjen, jo më të vjetër se 48 orë. /Telegrafi/

Exit mobile version