Ish-presidenti amerikan George H.W. Bush është shtruar në spital që prej të shtunës për probleme me frymëmarrjen.
Lajmi u dha nga zëdhënësi i tij, i cili shtoi se Bush gjendet në spitalin metodistë të Hjustonit, ku fatmirësisht duket se po reagon mirë ndaj trajtimit mjekësor. Mësohet se presidenti i 41 i SHBA dhe babai i presidentit të 43, do të dalë së shpejti nga spitali. Bush, i cili shërbeu një mandat të vetëm presidencial nga viti 1988 deri më 1992, nuk pritej që të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trump, pikërisht prej shqetësimeve për shëndetin e tij.
Madje përmes një letre, ai me mjaft humor i kërkoi falje Trump-it për mungesën e tij, duke thënë se ishte këshilluar nga mjeku që të mos dilte nga shtëpia në këtë mot të ftohtë, përndryshe do të vdiste, transmeton tch.
Disa sëmundje të njëpasnjëshme gjatë viteve e fundit, kanë bërë që ish presidenti 92-vjeçar të mos dalë në publik shpesh dhe shumë rrallë ka bërë ndonjë deklaratë. Vite më parë, Bush tregoi se vuante një formë parkinsoni, e cila i pamundëson ecjen, arsye pse ai përdor një karrige me rrota.