Telegrafi

Horrori në Orikum, burri fjeti dy ditë me gruan e vdekur

Çifti me origjinë nga Librazhdi prej disa vitesh ishin shpërngulur me banim në Vlorë, pikërisht në një banesë në Orikum, ku ndodhi edhe vrasja.

Shtëpia është ende e papërfunduar, nuk ka dyer e dritare, rrobat qëndrojnë të grumbulluara në një cep, çka të jep përshtypjen se çifti me dy fëmijë dhe të tretin në pritje jetonte në kushtet e një varfërie ekstreme.

Në një nga dhomat e pasuvatuara, ku mungon energjia elektrike ndodhet edhe shtrati ku është gjetur e vdekur 34-vjeçarja. Njollat e gjakut janë aty, sqepari me të cilën ajo u godit për dy ditë të tëra është hedhur në një cep, ndërsa enët e kuzhinës ishin përhapur në dhomën gjysmë bosh, së bashku me copat e bukës dhe gjellën e mbetur në tenxhere.

Gazetari i News 24, ka arritur të sigurojë edhe rrëfimin e dëshmitares së parë të ngjarjes. Ajo quhet Flora Muka, ndërsa dyshon se autori i ngjarjes ka qëndruar dy ditë me gruan e vrarë brenda kësaj shtëpie të improvizuar për jetesë.

Pikërisht denoncimi i saj ka çuar policinë drejt vendit të krimit. Flora ka deklaruar se kishte parë të tensionuar bashkëshortin e viktimës dhe e ka pyetur se ku ndodhej gruaja e tij pasi kishte dy ditë pa e parë.

“E pyeta kur e pashë se ku e kishte gruan, me shaka i thashë mos e ke vrarë o qyq. Ajo nga Vlora në Orikum përditë ecte në këmbë, ai me biçikletë, ndërsa ajo e ndiqte nga mbrapa në këmbë, ishte edhe gjatë muajsh shtatzënë. Ai kishte dy ditë që e kishte vrarë dhe flinte në krevat me të, ky është tmerr”, rrëfen dëshmitarja.

Gruaja sqaron se Shpëtimi nuk dukej një njeri agresor.

“Ditën e dytë pas vrasjes u vesh, mori fëmijët dhe iku”, thotë ajo, ndërsa hedh poshtë dyshimet se vrasja mund të jetë kryer për xhelozi.

“Ajo nuk e nginte kokën, vetëm punonte si kafshë, çfarë xhelozie mund të kishe për të”, shton Flora.

Familja Çeliku tashmë është shpërbërë. Me vrasjen e Manushaqes, bashkëshorti i saj përfundoi në burg, ndërsa dy fëmijët e tyre të mitur në shtëpinë e fëmijës.

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Orikum, ku shtetasja Manushaqe Çeliku, 34-vjeçe, u vra nga bashkëshorti i saj në mënyrë makabre, vjen edhe reagimi i tezes të saj në Librazhd. Nëna e moshuar e viktimës ka kaluar në gjendje shoku ndërsa i vëllai i saj Sajmir Balla ka kyçur gojën dhe nuk ka pranuar të flasë me derisa të mësojë të vërtetën e këtij krimi.

Ndërkaq Hyrije Rreshka, tezja e viktimës mundohet ti japë kurajo motrës së saj, e cila nuk ka fuqi as tu kthejë përgjigje miqve që i kanë ardhur për ta ngushëlluar. Ajo shprehet e tmerruar nga krimi i rëndë i kryer ndaj mbesës së saj që nuk ishte ankuar për konflikte të forta në familje.

“Shteti duhet të zbardhë motivin dhe të identifikojë autorin e vërtetë të vrasjes së mbesës thotë ajo. Është e tmerrshme dhe e padëgjuar vrasja e gruas shtatzënë nga bashkëshort i saj. Nuk e kuptojmë sesi ky krim nuk u zbulua në kohë por me vonesë aq sa trupi i mbesës të krijonte idenë se vrajsa e saj është kryer shumë kohë më para sa ka thënë policia. Gjithsesi shpresojmë që drejtësia të flasë me ashpërsinë e ligjit sepse ne nuk dimë asgjë rreth të vërtetës së këtij krimi. Ne jemi njoftuar për vrasjen mbrëmjen e të dielës dhe këtë fillim javë i kemi dhënë lamtumirën të ndjerës ndërsa fëmijët i saj i kanë dërguar me urgjencë në jetimore”, rrëfen ajo për News24. /Telegrafi/