Telegrafi

“Homofobet s’kanë vend në Kuvend”, YIHR-ja i dërgon letër Konjufcës – kërkojnë shkarkimin e Duda Baljes dhe Labinotë Demi Murtezit

Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut – Kosovë (YIHR KS) i kanë dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës duke kërkuar shkarkimin e kryetares së Komisionit për të Drejtat të Njeriut, Duda Balje si dhe anëtares së Komisionit, Labinotë Demi Murtezi në lidhje me siç thonë “deklaratat diskriminuese”.

Ata përmes letrës kanë bërë të ditur se gjatë takimit të këtij komisioni me shoqërinë civile të thirrur nga Duda Balje me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”, janë përballur me një tjetër demonstrim të homofobisë dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Tutje në letër thuhet se “Homofobët s’kanë vend në kuvend”.

“Ne nuk mund të pranojmë që një individ me pozitë kaq të rëndësishme, siç është kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut, të shpërdorë pozitën dhe të shfaqë qëndrime homofobe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duda Balje, në deklaratat e saj publike, ka mbetur e palëkundur në qëndrimin e saj diskriminues ndaj personave LGBTIQ+. Duke përdorur argumentin e “mendimit personal,” ajo ka injoruar faktin se funksionet publike, veçanërisht ato në fushën e të drejtave të njeriut, duhet të kujdesen për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të çdo individi, pavarësisht orientimit seksual apo çfarëdo përkatësie tjetër”, thuhet në letrën drejtuar Konjufcës.

Lexo po ashtu Aksion gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, YIHR-ja: Homofobet s’kanë vend në Kuvend  

Po ashtu ata thanë se: Deklarata shpifëse dhe diskriminuese vazhduan edhe nga deputetja Labinotë Demi Murtezi, prezente në këtë takim, që publikisht deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ TRANSMETOJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilin e kemi dëgjuar edhe më parë nga ajo në seancën parlamentare të 16 marsit të vitit 2022.

Duda Balje dhe Labinotë Demi Murtezi nuk mund të përfaqësojë objektivitetin dhe pavarësinë e një komisioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Homofobia dhe diskriminimi nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në letër.

Përmes kësaj letre ata kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut.

“Nuk mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Njëherit, kërkojmë edhe shkarkimin e Labinotë Demi Murtezi nga ky komision për gjuhën e saj shpifëse dhe të urrjetjes ndaj personave LGBTIQ+.

Ne kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të reagojë menjëherë dhe të ndërmerr masa për të garantuar se pozitat publike janë të mbajtura nga persona që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut pa dallim për të gjithë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufcës. /Telegrafi/