Site icon Telegrafi

Homazhe te shtatorja e Zahir Pajaziti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe familjarë të heroit të kombit, Zahiri Pajaziti, ka bërë sot homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në Prishtinë, në 22 vjetorin e rënies së tij.

Haradinaj duke kujtuar veprën e heroit Zahir Pajaziti, tha se janë bërë 22 vjet, por porosia e heronjve edhe sot është e freskët.

“Liria është e shtrenjtë, e çmueshme dhe do të kujdesemi që të jemi çdo herë në respekt të vlerave të lirisë sikur sot”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, të mërkurën mori pjesë edhe në Akademinë Përkujtimore në Junik, në 22-vjetorin e rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, në nderim të veprës së tyre.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i Ushtrisë, gjenerallejtënant Rrahman Rama, së bashku me një delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, kanë bërë homazhe dhe vendosën kurora lulesh të freskëta tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në 22 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Ministri Berisha tha se në kalendarin e datave të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, 31 janari i vitit 1997, hyri me emrat e tre komandantëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

“Në emrat e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, gërshetohen vlerat më të mira të kombit tonë, dashuria për atdheun, shpirti i kulluar liridashës, trimëria dhe gatishmëria për të luftuar deri në frymën e fundit për idealin e lirisë”, tha ai. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version