Telegrafi

Sot përkujtohen personat e zhdukur

Me rastin e ndërrimit të moteve, përfaqësues të institucioneve të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, si dhe përfaqësues të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur, do të bëjnë homazhe pranë ‘Përmendores dedikuar personave të zhdukur’.

Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të bëjë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Homazhet do të bëhen në ora 11:00, pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur, përballë ndërtesës së Kuvendit.

Ndryshe, po bëhen 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, kurse Serbia ende nuk tregon lokacionet e shqiptarëve të zhdukur.

Tash e dy dekada, familjarët janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Familjarët kanë pak shpresë që do të zbardhet fati i personave të zhdukur, ndërkohë që Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë është zotuar se nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa u qartësuar çështja e personave të pagjetur. /Telegrafi/

Foto: Arkiv