Ishin edhe shumë bashkëqytetarë të fëmijërisë së tij nga qyteti i lindjes, Gjakova, si dhe nga të gjitha qytetet e Kosovës, njofton Koha.
Ata përveç nderimit me përkulje para arkivolit me trupin e pajetë të poetit kombëtar të madh, ngushëllonin edhe familjen.
Heshtja mortore thyhej nga zërat në sfond me vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çamëri, Ulqini e Presheva si dhe diaspora.
Ceremonia mortore do të zgjasë deri në orën 14, kur kortezhi do të niset për në varrezat e kryeqytetit, ku do të pushojë përgjithmonë, duke i falë kështu Prishtinës edhe emrin e madh me të cilin do të krenohet. Në orën 14 e 30 ai do të lëshohet në varrezën, shtëpinë e amshimit, për të lënë pas emrin e veprën e madhe që nuk vdes. /Telegrafi/
E plotësuar: Trupi i pajetë i Ali Podrimës arriti në tokën e Kosovës pikërisht në 8:35, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëpërmjet linjës ajrore “Swiss Air”, fluturim ky i nisur nga Zurich-u i Zvicrës për në Kosovë.
Djemtë e të ndjerit Podrimja kishin ndarë misionin e tyre për të atin, pikërisht për ditën e enjte, trupin e të cilit Petriti e kishte shoqëruar që nga vdekja e tij në Ladove të Francës e deri në aterrimin e aeroplanit në Prishtinë, për ta pritur këtu në Kosovë djali tjetër i Aliut, Dreni i shoqëruar së bashku me nënën Fitoren e motrën Donikën.
Nën lot po përcillnin me sy arkivolin me trupin e pajetë të Aliut të cilin po e nxirrnin nga aeroporti i Prishtinës për ta futur në makinën për funerale.
I mbuluar me flamurin kombëtarë shqiptarë, flamur që iu besua më pas djalit të Aliut, Drenit, arkivoli po përcillej edhe nga akademikët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës: Hivzi Islami, Mehmet Kraja, Rexhep Ismajli e Pajazit Nushi, varrim të cilin edhe e ka organizuar ky institucion i lartë i artit dhe i shkencës, anëtar i së cilës ishte edhe i ndjeri.
Pa asnjë fjalë, por me shumë dhimbje nga familjarët dhe akademikët prezent, por jo edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, trupi i pajetë i Ali Podrimës nga Aeroporti i Prishtinës është nisë për në drejtim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vend që i është rezervuar për homazhe prej orës 12: 00 deri në ora 14: 00, edhe pse, dera e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është hapur jo zyrtarisht për homazhe prej orës 10:00. /Zëri/Telegrafi/