Telegrafi

Homazhe dhe një minutë duartrokitje tek varri i legjendës, Fadil Vokrri

Në ditëlindjen e legjendës dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri dhe në prag të turneut përkujtimor kushtuar atij, sot, janë bërë homazhe tek varri i tij.

Aty ishin krerët e FFK-së, familjarët, ish-bashkëlojtarët, shokët e miqtë e shumtë, tifozët Dardanët, klubet e futbollit si dhe nga dashamirë dhe miq të Legjendës nga vende të ndryshme, siç ishte edhe Paskal Papadopulos, i cili ka qenë përkrahës i madh i ish-presidentit Vokrri në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Në homazhe ishte edhe vëllai i ish-mbrojtësit të Manchester Unitedit, Rio Ferdinand.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi pasi ka vendosur kurora lulesh mbi varrin e legjendës, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, në emër të KE të FFK-së ka falënderuar të gjithë të pranishmit që në këtë ditë të shënuar kanë bërë homazhe tek varri i Legjendës.

Ai ka thënë fjalë të mëdha për ish-presidentin Vokrri, duke e vlerësuar si ikonë dhe unifikues të futbollit shqiptar, teksa ka kërkuar që karriera dhe vepra e Vokrrit të nderohet me një minutë duartrokitje nga të pranishmit.

Homazhe kanë bërë edhe ekipet e veteranëve të Prishtinës, Llapit, Flamurtarit të Vlorës dhe Tetovës, të cilat do të marrin pjesë në turneut e sotëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, që është organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.