Të enjten mbrëma, bota mësoi lajmin e dhimbshëm për amshimin e Nelson Mandelës, njeriut që me aftin e tij njerëzor dhe me sakrificën jetësore që bëri, i dha njerëzimit mbarë një nga mësimet më të çmuara që ndokush mund ta ketë menduar: se njerëzit kanë lindur të gjithë të lirë.
Aftësia e tij e pathyeshme, që nga burgu famëkeq në Ishullin Robin, të mbajë gjallë shpresat e një kombi 30 milionësh për barazi dhe jetë demokratike, rrezaton fort jo vetëm mbi qiellin e Afrikës së Jugut, por edhe mbi çdo popull dhe individ paqedashës.
Janë pikërisht vlerat e jetës demokratike, të pacenuar, jo hakmarrëse dhe të barabarta që duhet të frymëzojnë edhe popullin shqiptar drejt një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Ashtu siç u gjunjëzuan përpara veprës së tij kolosale liderët botërorë, duke i shprehur ngushëllimet nga më të përshpirtshmet dhe më prekëset që nga Kambera në Tokio, nga Washingtoni në Londër, nga Moska në Ankara, ashtu edhe bota shqiptare duhet ta nderojë këtë shenjtor të njëmendët të njerëzimit dhe të përpiqet të mësojë nga vepra e tij.
Aftësia e tij e shkëlqyer që të vazhdojë përpjekjen për shkuljen dhe çrrënjosjen e regjimit të aparteidit nga vendlindja e vet, është ekzemplar i fuqishëm që të mësojë njerëzimin se mbi vullnetin e popullit dhe dëshiren e tij për të jetuar i lirë nuk mund të vihet prangat e robërimit përjetësisht. Dhe, shumë nga aktiviteti i tij jetësor mund të krahasohet lirisht me përpjekjen e vazhdueshme të kombit shqiptar për liri, demokraci, paçe, prosperitet dhe çlirim nga tiranitë e imponuara kudo ku ndodhen shqiptarët në trojet e veta etnike në këto dekadat e fundit.
Megjithëse me problemet e veta të shumta, sot Republika e Afrikës së Jugut është shtet demokratik, ku qytetarët e saj jetojnë të lirë dhe të paparagjykuar nga ngjyra e lëkurës me të cilën kanë lindur. Idealet e Mandelës nuk janë realizuar tërësisht, por burri i botës trasoi drejt rrugën për pasuesit e tij me shëmbëlltyrën e vet sesi duhet jetuar lirinë, pajtimin, zhvillimin dhe faljen reciproke.
Në fjalët e tija të pavdekshme kur morri pjesë në koncertin e madh dedikuar Afrikës, në stadiumin Wembly të Londrës më 2002, ai tha: “Jeta e njeriut duhet të jetohet bazuar në parime të shëndosha dhe principe të vlerave që krijojnë, mbajnë, zhvillojnë dhe çmojnë njeriun si vlerë dhe si potencial. Domosdoja e këtyre parimeve është të qënit i lirë, i barabartë dhe i pa paragjykuar”. Qofshin pikërisht këto ideale nga testamenti i jetës së tij të gjatë, të dhimbshme, por edhe drithëruese si cytje e vazhdueshme për hapërim përpara dhe realizim të potencialeve të popujve dhe njerëzve të lirë të gjithë botës.