President i Francës, Francois Hollande, nuk do të shkojë në Shqipëri. Burime zyrtare kanë konfirmuar për Top Channel se kreu i pallatit Elize ka anuluar turin e tij të vizitave, pjesë e të cilit ishin edhe Tirana e Beogradi.
Motivet zyrtare të anulimit të këtyre vizitave nuk janë bërë publike, por Top Channel ka mësuar se situata politike në Francë e ka detyruar të heq dorë, vetëm pak muaj përpara përfundimit të mandatit si president.
Fushata elektorale dhe sondazhet, të cilat nuk e nxjerrin aspak favorite Partinë Socialiste të Francës, kanë bërë që eksponentët më të lartë të kësaj partie të kërkojnë nga Hollande ndërprerjen e vizitave dhe një angazhim më të madh të tij në fushatë.
Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë pas sondazheve të publikuara, ku Marine Le Pen e Frontit Nacional ishte në avantazh, ndërsa socialistët francezë ende nuk e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale – raundi i parë i të cilave do të mbahet më 23 prill.