Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi sot se Kosova është e përkushtuar për thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet të dy vendeve.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me një delegacion evropian të përbërë nga Bert Koenders, ish-ministër i Jashtëm i Holandës, anëtarja e Parlamentit Evropian, Kati Piri, ish-deputeti holandez Jan Marinus Wiersma dhe Danijela Tadiq nga Fondacioni Max van der Stoel.
Haradinaj ka njoftuar delegacionin holandez për progresin e Kosovës dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillimin ekonomik, agjendën evropiane të reformave, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, si dhe për hapat që janë ndërmarrë në plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.
Po ashtu, është biseduar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe rolin e institucioneve të BE-së në këtë proces.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe për këtë është pjesë e shumë iniciativave rajonale dhe më gjerë, duke dhënë kontributin e saj”, tha Haradinaj.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, ai shtoi se Kosova ka krijuar shumë zona të lira ekonomike, si dhe ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike, duke iu hapur në këtë mënyrë rrugë investimeve të huaja dhe krijimit të lehtësirave për investitorët potencialë.
Nga ana e tyre, delegacioni holandez ka vlerësuar progresin e Kosovës duke shprehur gatishmërinë e tyre dhe të shtetit holandez për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.