Telegrafi

Holanda dhe Spanja ndahen baras në miqësoren e luksit

Kombëtarja e Holandës dhe ajo e Spanjës kanë barazuar me rezultat 1-1 në miqësoren e luksit.

Miqësorja e luksit e zhvilluar në Johan Cruijff Arena të Amsterdamit prodhoi shumë aksion, raste, gola, por jo edhe fitues.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të spanjollëve, të cilët përveç rasteve të shumta arritën ta shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 19-të dhe ishte Sergio Canales, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Alvaro Moratas.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dy trajnerët bënë shumë ndryshime për të provuar disa nga lojtarët e ftuar.

Megjithatë, vetëm holandezët arritën të konkretizojnë njërin rast dhe të gjejnë golin e barazimit.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 47-të dhe ishte Donny van de Beek, i cili shënoi për 1-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar edhe përkundër rasteve nga të dyja kombëtaret.

Tani Holanda dhe Spanja do të bëhen gati për të zhvilluar nga dy ndeshjet të radhës në kuadër të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/