Departamenti i Shtetit Amerikan është pa koment sa i përket platformës së partive shqiptare, por me qëndrim rreth Qeverisë së ardhshme. Zv.ndihmësi i sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euroazi në Departamentin e Shtetit Amerikan, Hoyt Yee duke e komentuar situatën aktuale politike në vend, theksoi se është e nevojshme që partitë të bisedojnë dhe sa më shpejtë të formohet Qeveria, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Është e rëndësishme të liderët të punojnë shpejtë dhe me efikasitet dhe të arrijnë marrëveshje. SHBA gjithsesi se e mbështet sovranitetin e Maqedonisë dhe mundësinë që partitë të sjellin vendime pa përzeirje nga jashtë. Roli ynë për momentin është të vëzhgojmë, të ofrojmë këshilla për çështje të caktuara – për shembull ne besojmë se është e rëndësishme të Qeveria e re të mbështet angazhimet ndërkombëtare, duke e përfshirë edhe Marrëveshjen e Përzhinos. Partitë duhet të vendosin qartë se e respektojnë Kushtetutën e vendit, të drejtat e njeriut, t’i respektojnë institucionet, duke përfshirë edhe PSP-në, të respektojnë sundimin e ligjit dhe qëllimet e qytetarëve për integrimet në Evropë”, deklaroi Hoyt Yee.
Ai gjithashtu i porositi partitë të punojnë në interes të qytetarëve, dhe jo të fokusohen në interesat partiake./Telegrafi/