Nëse nuk e mposht dot, blije!
Ky ligj i pashkruar në botën e futbollit është zbatuar shpesh nga Bayern në Gjermani, në përpjekje për të ruajtur hegjemoninë e vet.
Kjo zakonisht ka ndodhur me lojtarët, por duket se shumë shpejt rekordmenët do të rekrutojnë edhe trajnerin më “në modë” të Bundesligës.
Ai është Ralph Hasenhüttl, njeriu i cili po bën mrekullinë me RB Leipzig-un duke luftuar dhëmbë për dhëmbë me kampionët.
Aktualisht skuadra e tij udhëheq bashkë me Bayernin në tabelën e klasifikimit me të njëjtin numër pikësh.Në mesjavë Bayern do të presë për herë të parë RB Leipzig-un në “Allianz Arena” dhe presidenti Uli Hoeness ka sugjeruar që në të ardhmen tekniku austriak të drejtojë bavarezët.
“Ralph Hasenhüttl po punon mirë te RB Leipzig”, – tha Hoeness për revistën “Kicker”. “Nëse ndonjëherë do të kërkojmë për një trajner i cili flet gjermanisht, ai sigurisht që do të jetë një nga tre kandidatët tanë. Gjithsesi, për momentin nuk e kemi çështje për diskutim“, shtoi numri 1 i Bayern-it. Hasenhüttl ka kontratë deri në vitin 2019 në Leipzig.