Telegrafi

Hodhën molotov ne hyrje të Kryeministrisë, policia procedon penalisht tetë protestues

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 8 protestues, të cilët gjatë tubimit të opozitës mbrëmjen e të premtes kanë hedhur flakadanë dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë.

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se shtetasit në fjalë do të procedohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. D., 20 vjeç, M. P., 22 vjeç, S. L., 69 vjeç, B. Xh., 33 vjeç, A. L., 38 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, D. P., 62 vjeç, dhe një 17-vjeçar. Këta shtetas dyshohet se gjatë protestës, kanë ushtruar veprime të dhunshme, kanë hedhur flakadanë dhe molotovë, në drejtim të kryeministrisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se protesta mbarëkombëtare e opozitës e mbajtur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shoqërua me tensione dhe përplasje me protestuesve dhe policisë.

Në momentin që mori fjalën kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, pati një sulm intensiv me bomba molotov në drejtim të kryeministrisë.

Sulmi drejtohej nga një “grup zjarri” mes protestuesve, të cilët ishin persona të maskuar me kapuç dhe syze.

Pas kryeministrisë, protesta u zhvendos në bashkinë e Tiranës, ku pati sërish sulme me bomba molotov dhe përplasje mes efektivëve dhe protestuesve. /Telegrafi/