Telegrafi

Hitleri kandidon kundër Leninit – cili do t’i fitojë zgjedhjet e një qyteze në Peru? (Foto)

Hitleri po përpiqet të rimarrë pushtetin, por nuk bëhet fjalë për ringjalljen e diktatorit nazist.

Hitler quhet kandidati për kryetar të një qyteze të vogël në Perunë qendrore.

Ky është Hitler Alba Sançez. Është 37 vjeç dhe të gjithë e njohin si “Hitleri i mirë”.

“Në të vërtetë Hitleri, Hitleri i mirë, kthehet në këto zgjedhje me mbështetjen e miqve, simpatizantëve dhe popullatës”, tha ai.

Hitleri peruan po kandidon për t’u rizgjedhur si kryetar komune në qytezën Jungar, me më shumë se 3 mijë banorë.

Ai ka drejtuar qytezën mes viteve 2011 – 2014.

Por surpriza nuk mbaron me kaq. Në fletën e votimit të zgjedhjeve të 7 tetorit ai do të ketë përballë Leninin, Leninin peruan me identitetin e saktë Lenin Vladimir Rodrigez Valverde.

Hitleri, mbështetjen e ka më të madhe se Lenini, pasi në muret e qytezës dominojnë parullat me emrin e tij.

“Besim të plotë tek Hitleri” dhe “Të gjithë jemi Hitler”.

Familjen që i ka vënë emrin, nuk e lidh asgjë me të shkuarën naziste dhe as nuk e simpatizojnë.

Emrin ia ka vënë babai, një fermer që e kishte dëgjuar vetëm si mbiemrin e një udhëheqësi, por i painformuar për historinë e tij.