Site icon Telegrafi

Historiku i sulmeve terroriste në Evropë (Video)

Mbrëmja e të premtes së 13 nëntorit 2015 ndryshoi shumëçka në Paris.

Fillimisht u raportua për shpërthime afër stadiumit ku kombëtarja franceze në futboll po luante miqësore me Gjermaninë.

Më pas u mor vesh se edhe në dy vende tjera të kryeqytetit, po ndodhnin sulme të rënda terroriste.

Disa persona u vranë te restoranti “Petite CAMBOGE”.

Shumë tjerë u ekzekutuan në sallën e teatrit dhe koncerteve Bataclan.

Në total, 130 veta humbën jetën këtë natë në Paris, duke shtyrë autoritetet e këtushme, por edhe ato evropiane, të nisin aksione gjithëpërfshirëse për të kapur ekzekutuesit, por edhe ideatorët e sulmeve.

Pesë ditë më vonë policia ekzekutoi 27 vjeçarin Abdelhamid Abaud, i cili besohej se ishte koka e sulmeve terroriste, bashkë me Salah Abdelsalem. Ky i fundit, arriti të ikë pa u kapur nga një shtëpi në lagjen Saint Denis, të kryeqytetit .

Por, më 20 mars u raportua se i ikuri ishte detektuar në zonën Molenbek te Brukselit, ku edhe jetonte.

24 orë më vonë, shtëpia e Abdelsalem u rrethua nga forca të shumta të sigurisë, por ai nuk u zu as kësaj radhe.

Autoritetet në Bruksel ndërkaq kishin ngritur sigurinë në nivelin 4, duke bërë me dije se ky qytet i madh, por edhe krejt Belgjika, ishin target u sulmeve të reja të mundshme terroriste.

As 19 tentimet e reja për të kapur Abdelsalem, më 22 nëntor, nuk rezultuan me sukses. megjithatë, 16 personave tjerë iu vunë prangat. më pas, vetëm njëri nga ta u mbajt me akuzat për vepra terroriste, e tjerët u liruan.

Në ndërkohë, Franca kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që është në fuqi edhe tani.

Ky shtet, bashkë me Belgjikën, megjithatë, nuk ndalën planet për të kapur të dyshuarit e sulmeve të Parisit.

Më 10 dhjetor një prokuror francez njoftoi se derisa po hetonin një apartament në Sharbel të Brukselit, gjetën shenja të gishtërinjve të të kërkuarit kryesor Salah Abdeslami i cili mbetej në arrati.

Edhe në ditët e fundit të vitit të kaluar ishin bërë arrestime e bastisje.

Por, tek më 13 janar 2016 hetuesit konfirmuan se gjetën shtëpitë ku ishin planifikuar sulmet e Parisit.

14 ditë më pas, në një aksion tjetër, u vra një qytetar me prejardhje algjeriane, i cili po qëndronte ilegalisht në Belgjikë. te ai u gjetën armë dhe një flamur të të ashtuquajturit shtet islamik.

Hetimet e zhvilluara më pas dhanë rezultate më 18 mars. Këtë ditë, shumë forca të rendit kishin rrethuar një ndërtesë në lagjen Molenbek, ku dyshohej se po fshihej Abdelsalem.

Ai nuk u dorëzua, por siç shihet në këtë video ekskluzive, tentoi të ikte, pas sukses. Ai u plagos në këmbë, e më pas u prangos.

Nuk dihet nëse ka lidhje me këtë zhvillim, por Brukseli u shqetësua rëndë, të martën, kur një seri e shpërthimeve e goditi këtë qytet, fillimisht në aeroportin kombëtar Zaventem, e më pas edhe në një stacion metroje, pak metra larg godinave qendrore të bashkimit Evropian.

Sipas informacioneve të orës 17:00, 34 persona janë vrarë e mbi 100 tjerë janë plagosur rëndë e lehtë në këto sulme terroriste, për të cilat organizata Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë.

https://www.youtube.com/watch?v=NN5lUSgAd0Q

Exit mobile version