Site icon Telegrafi

Historianët: Zbatimi i vendimit për pronat në Deçan fut Kosovën në rrugë pa kthim

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar sot ndaj, siç thuhet, presioneve të ambasadorëve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë ndaj institucioneve të Kosovës për të zbatuar vendimet e kohës së Slobodan Millosheviq në Kosovë.

Presioni i ambasadorëve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog mbi institucionet tona është parë edhe sot me vizitën e tyre në Manastirin e Deçanit, i cili nuk e pranon Republikën e Kosovës, thuhet në komunikatë.

Historianët e Deçanit thonë se ambasadorët e QUINT-it dhe shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë po bien pre e igumenit Sava Janjiq, pasi që ishin pikërisht vendet e tyre që në vitin 1999 bombarduan regjimin diskriminuese të Millosheviqit, i cili është përgjegjës për gjenocid ndaj shqiptarëve dhe i cili ka marrë me qindra vendime, të cilat po i sfidojnë institucionet e Kosovës.

Lidhja e Historianëve i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit, Presidencës, zyrës Kadastrale në Deçan dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të mos e zbatojnë vendimin antikushtetuese, antikombëtar dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit 2016, i cili thelbin e tij e ka në vendimet e kohës së Millosheviqit.

Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, është precedent i rrezikshëm për Kosovën. Me zbatimin e këtij vendimi, Kosova do të hyjë në një rrugë pa kthim, e cila do të fuqizojë edhe më tej Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, përfundon reagimi.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Kushtetueses për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje, është i bazuar në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.

Ai pati thënë se Qeveria do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por shtoi se edhe liderët fetarë duhet të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.

Autoritetet lokale në Deçan besojnë se 24 hektarët tokë dhe pyje janë të ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe me këmbëngulje refuzojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese pati deklaruar se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese tha se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e vendimit nga organet përgjegjëse dhe se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Exit mobile version