Site icon Telegrafi

Historianët e Deçanit: Sa më parë të nisë ndërtimi i xhamisë qendrore në Prishtinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, është shprehur kundër nismës së një grupi të njerëzve, të cilët duke kundërshtuar ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë në lagjen “Dardania”, me arsyetime, siç thuhet, të kota, po tentojnë të prishin paqen dhe harmoninë midis feve në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se kjo iniciativë nuk është gjë tjetër vetëm një skandal i pa pranueshëm dhe një iniciative e pa vend e një grupi të individëve të cilët po mundohen të jenë kinse zë kundërshtuese”, thuhet në reagim.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan i bën thirrje këtij grupi që të nisë një iniciative për të kundërshtuar marrjen e pronave publike nga Manastiri i Deçanit në Deçan dhe iniciativës tjetër që kundërshton institucionet serbe për fillimin e ndërtimeve dhe funksionalizimin e Kishës në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

“Ne, prapë e ri-përsërisim se iniciativat e tilla të një grupi të pseudo-intelektualëve, për të kundërshtuar ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës, xhami e cila do të ndërtohet nën koordinimin e Bashkësisë Islame të Republikës se Kosovës, Komunës se Prishtinës dhe institucioneve të tjera të vendit tonë, vetëm sa e dëmton rendë bashkëjetesën dhe harmoninë tek shqiptarët e Kosovës, andaj ne i bëjmë thirrje çdo qytetare dhe intelektuali të mirëfillti që të mos e përkrah këtë iniciative”, thuhet më tej në reagim.

Për më tepër, Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, dega në Deçan, inkurajon Bashkësinë Islame të Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe institucionet e tjera në vend, që të vazhdojnë më planin e punës dhe sa më parë të fillojë ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, e cila do të jetë pjesë e pandashme e dëshmisë se shqiptarët janë popull tolerantë dhe paqedashës.

Exit mobile version