Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, përmes një komunikate për media, u bëri thirrje sot organeve ligj zbatuese në Prishtinë që Kishën në pronën e UP-së ta shndërrojnë në Muze të Holokaustit si argumentim i holokaustit që ndërmori Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës.
“Konsiderojmë se beteja që po zhvillohet për pronën në afërsi të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duhet të shkojë në favor të palës shqiptar dhe assesi të asaj serbe, sepse Kisha e nisur në pronën e UP-së, është kishë e dhunshme e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar ka ndërprerë procedurën në rastin ku Universiteti i Prishtinës ka paditur Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së kthimit në shfrytëzim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha.
Në padi thuhet se UP që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë kësaj kohe është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Lidhja e Historianëve të Kosovës, ndërkaq përsërit qëndrimin e saj dhe bën thirrje që të mos zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit, pasi që zbatimi i tij do të jetë precedent i rrezikshëm për Kosovën.
“Çdo akt gjykimi i gjykatave gjithandej vendit tonë, i cili i legalizon vendimet e kohës së Millosheviqit është vendim antikombëtar, antikushtetuese dhe antiligjore, pasi që në Kosovë nuk duhet të zbatohen vendimet e kohës së Millosheviqit”, thuhet në komunikatë.