Dy gazetarë rusë që po qëndronin ilegalisht në Kosovë u ndaluan shtatorin e viti 2016. Ata tashmë kanë një ndalesë për të hyrë në territorin e Republikës për pesë vite. Por, as pas kaq muajsh nga ky incident, as autoritetet kosovare e as ato ruse nuk pranojnë të flasin për të. Madje as njëri nga gazetarët e ndaluar.
Por, cila është e vërteta tjetër, pos hyrjes ilegale, për punën që po bënin Oksana Sazonova dhe Sergej Belous? Kë ata e incizuan tinëz dhepër çfarë temash flisnin me burimet e tyre? Çka gjetën ata për nacionalizmin shqiptar e çka për ISIS-in në lojën futbollit Shqipëri-Serbi? Si dhe më e rëndësishmja, pse nuk u publikua kurrë hulumtimi i tyre?
Në fund të gushtit të vitit 2016 Sergej Belous, një gazetar i pavarur, me prejardhje nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, publikoi në një blog një rrëfim të gjatë për historinë e familjes Jashari dhe vetë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pak ditë më vonë, në mesin e muajit shtator, ai do të ndalohej së bashku me kolegen e tij ruse, Oksana Sazonova.
Një zëdhënës i Policisë së Kosovës atë kohë pati thënë që nga ky institucion, ishin ndaluar në Rahovec për verifikim dy shtetas të huaj, të cilët dyshoheshin se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.
Ata hynë ilegalisht, u ndaluan e intervistuan, dhe u dëbuan nga Kosova dhe sot kanë një ndalesë për të hyrë në Republikën e Kosovës për 5 vite, ose në rast që duan të hynë më herët, duhet të paguajnë një gjobë prej 4 mijë eurosh.
Kështu të paktën thotë Sergej Belous, i intervistuar nga Gazeta Express pas incidentit ku ai dhe Oksana Sazonova u ndaluan, sipas tyre, në punën për të bërë një hulumtim në Kosovë.
Ata ishin deklaruar se janë duke punuar për median “Noboctnoi Front”, por deri tash ata nuk kanë publikuar një hulumtim të tyre në këtë media online për punën e tyre në Kosovë. Madje thonë edhe që kjo ishte hera e parë që hynë në Kosovë, por nuk arrijnë ta shpjegojnë se si e bënë raportin e tyre për familjen Jashari në Prekaz, me fotografi e video ekskluzive, pa hyrë më herët në Kosovë.
Dhe menjëherë pasi u liruan, ata nuk kursyen tonet e tyre nacionaliste, ku Sazonova shkroi një status në Facebook duke njoftuar se “ne jemi mirë. Ne jemi duke shkuar për në Serbinë Qendrore. Faleminderit shumë miq, për mbështetjen tuaj. Ne jemi mirë dhe jemi liruar, në saj të mbështetjes të shtetit rus. Imagjinoni, që arrestojnë gazetarë në një vend që po e mbron e gjithë bota. Por, për Kosovën do të bëhet më mirë”, shkruan ajo dhe e mbylli me parullën ‘“Kosova është Serbi” e “Krimea është Rusi”’.
Por cila është historia tjetër e këtyre dy gazetarëve rusë që u kapën duke qëndruar ilegalisht në Kosovë?
Express merr vesh se të njëjtit kishin udhëtuar në po thuajse të gjitha trojet ku ka përqendrim të shqiptarëve në Ballkan për të bërë një raport, ndoshta për publikim e ndoshta edhe jo, për nacionalizmin, sipas tyre në rritje, të shqiptarëve dhe për idenë e Shqipërisë së Madhe, Etnike dhe Natyrale.
Dhe, në hulumtimin e idesë së tillë nuk do të mund të bëhej pa një intervistë me aktivistin e “Shqipërisë Natyrale”, Koço Danaj që ishte intervistuar nga këta gazetarë.
“Kemi intervista me Aleancën Kuq e Zi, Koço Danaj a e disa persona që mund t’u themi nacionalistë, por nuk kemi intervista me autoritetet e as me parti jo-nacionalistë për të parë vizionet e tyre”, i kërkojnë ata njërit nga fikserët e tyre të angazhuar, por që edhe atë e incizonin pa dije e saj.
Kur Policia kosovare i kapi Oksana Sazonova dhe Sergej Belous në Hoçë të Madhe afër Rahovecit, ata gjetën në pajisjet e tyre materiale të shumta, kryesisht intervista të fshehta- pa miratimin e të të intervistuarve, të cilëve u thoshin që po mbanin vetëm shënime.
Dhe, për më shumë në telefonat e tyre ishin gjetur dhjetëra numra të personave të rëndësishëm në Kosovë, kryesisht aktivistë politikë me ndikim në vend, por edhe pika kontakti në KFOR e EULEX, por edhe kontakte me gazetarë kosovarë.
“Kemi pasur disa kontakte dhe donim të bënim sa më shumë intervista, për hulumtimin tonë rreth nacionalizmit shqiptar”, thotë Sergej Belous.
Edhe pse gazeta ka provuar për javë të tëra, në krejt kontaktet që ka pasur në dispozicion, nuk ka mundur që të marrë një koment nga gazetarja tjetër e ndaluar në këtë incident, Oksana Sazonova megjithëse e njëjta është aktive në rrjete sociale, kryesisht Facebook, e raportime në portalin “news-front.info” ku thotë se është drejtuese e këtij projekti medial në gjuhën serbe.
Tutje, siç merr vesh Express nga burime brenda Policisë pos kontakteve të shumta që këta persona kanë pasur në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, por edhe në Mal të Zi në pjesët ku jetojnë shqiptarët, në llaptopët e tyre kanë pasur materiale të shumta në lidhje me historinë e shqiptarëve, materiale që janë shkarkuar aty që nga viti 2009 e tutje.
Sergej Belous thotë që ka shumë materiale për shqiptarët. “Jam historian, dhe bëjë edhe punën e gazetarit. Është interesim profesional interesimi im për shqiptarët dhe për historinë e kësaj pjesë të botës dhe kam menduar që të bëjë një artikull për këtë edhe e kam vizituar Kosovën”, thotë ai për Express.
I pyetur se pse nuk ka bërë deri tash një publikim, ai i fajëson autoritet kosovare që i ndaluan, por nuk pranon që të flas për faktin që hyn pa leje në territorin Republikës së Kosovës.
Autoritetet kosovare besojnë që Oksana Sazonova dhe Sergej Belous edhe se paku tri herë të tjera e kanë kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Serbi dhe janë futur ilegalisht në territorin e republikës, por kanë arritur t’i shmangen identifikimit. Madje dhe kontaktet e shumta që ata kishin me njerëz në Kosovë e përforcojnë këtë dyshim.
Por, deri tash as Policia e as Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk janë përgjigjur në pyetjet e Express për këtë rast dhe as se në baze të cilave prova kanë marrë vendimin për t’ua ndaluar këtyre gazetarëve hyrjen në Kosovë për pesë vite.
E pasi që ata kishin për detyrë që të hulumtonin, sipas tyre rritjen e nacionalizmit shqiptar dhe idenë e Shqipërisë së Madhe, në aparatet e tyre elektronike u gjeten edhe kontakte me zyrtarë të partisë nacionaliste kosovare pjesë e Kuvendit, Lëvizjen Vetëvendosje të krijuar nga Albin Kurti.
“Kisha dëshirë që ta intervistoj Albin Kurtin. Edhe sot po të mundem do ta intervistoja, por tash nuk mund të hyjmë në Kosovë, ose duhet që ta paguajmë gjobën prej 4 mijë eurosh që është për mua si gazetar i pavarur shumë e paarritshme”, thotë Belous.
Ai thotë se do të provojë që të bëjë edhe intervista përmes telefonatave e formave të tjera, por thotë po ashtu se vendimi për t’i dëbim të tyre ua ka prishur projektin e tyre për publikimin e një hulumtimi për nacionalizmin shqiptarë.
E derisa Sergej Belous është i rezervuar në komente në shumë pyetje, Oksana Sazonova, përfaqësuesit diplomatik rusë në Kosovë e Serbi e edhe Policia e MPB’ja në Kosovë refuzojnë të komentojnë për këtë rast, Express ka gjetur se gjatë hulumtimit të tyre gazetarët rusë gjetën materiale që së paku do të shiteshin në media si bombastike.
Ndër to është edhe incidenti i famshëm i lojës në mes të Serbisë dhe Shqipërisë ku me dron u ngrit një flamur montazh, për të cilin raportohet se ka ngritur Ismail Morina i njohur si “Ballisti”. Në një koment që ata e kanë marrë gjatë një interviste të incizuar pa lejen e të intervistuarit, morën si përgjigje që ai flamur ishte në fakt simboli i organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS).
“Në atë flamur kanë qenë në fotografi Isa Boletini dhe Ismail Qemaili. Nëse i lexon shkronjat e para të dy emrave të këtyre personaliteteve del ISIS (IS-a & IS-mail)”, u ka komentuar gazetarëve rusë një shtetas shqiptar.
Në Maqedoni ata ishin përqendruar në intervista ku flitje për marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, por kuptuan që problemet janë të njëjta: nga të dyja komunitetet atje njerëzit për arsye ekonomike dhe të drejta pune po mbanin dy nënshtetësi, maqedonase dhe atë bullgare.
Por, një nga të intervistuarit u thotë që shqiptarët myslimanë në Maqedoni janë më agresivë në besimin e tyre se sa ata në Kosovë e Shqipëri.
Por, në përgjithësi, nga dokumentet që kishin kontrolluar hetuesit kosovarë gjetën që në intervistat që ata bënin në vazhdimësi, ata po kërkonin të gjenin sa më shumë përkrahës të partive shqiptarë që nuk kanë ndonjë përkrahje nga Perëndimi në përgjithësi dhe nga Amerika në veçanti për tu ngritur në pushtet.
Intervistat e tyre ishin sugjestive, duke iu kërkuar të intervistuarve përgjigjet që këtyre dy gazetarëve u duheshin për artikullin e tyre. Ata shfrytëzonin pothuajse çdo person për ta intervistuar (duke e incizuar pa dijen e saj ose të tij), përshirë edhe shoferët që e taksive, pronarët e hosteleve ku kanë qëndruar e edhe bashkë-banuesit e dhomave në to.
E, i pyetur për raportet me përfaqësinë e Federatës Ruse në Kosovë dhe ambasadën e saj në Beograd gjatë kohës sa ishin në ndalim nga autoritet Kosovare, Sergej Belous thotë se ata kishin qenë pjesë e rëndësishme e procesit të lirimit të tyre.
Por, edhe pas shumë javësh pritje e shumë tentativave për ti kontaktuar përmes postës elektroteknike e telefonatave, as Zyra Përfaqësuese e Federatës Ruse në Kosovë, e as Ambasada Ruse në Beograd nuk kanë komentuar mbi arrestimin e gazetarëve Oksana Sazonova dhe Sergej Belous.
Ditë më parë Televizioni Publik kishte raportuar se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka siguruar të dhëna se në Kosovë ka një rrjet të bashkëpunëtorëve të shërbimeve të inteligjencës së Federatës Ruse, të cilët udhëhiqen nga Dragana Trifkovic.
Për Sergej Belous dyshimet se ai mund të jetë një agjent rus janë qesharake, dhe thotë se “po të kishte diçka të vërtetë në këtë histori nuk do të interesohej më për ta vazhduar hulumtimin”.
“Unë do të provoj edhe forma të tjera që të vazhdoj hulumtimin tim edhe pse më është ndaluar për momentin hyrja në Kosovë”, thotë Belous për Express.
Deri tash është raportuar për një influencë ruse përmes medias e Organizatave Qeveritare në regjion, përfshirë edhe Kosovën, si kundërpërgjigje për ndikimin që NATO ka në Ballkan e sidomos në territoret e banuara me shqiptarë.
Një nga qendrat që është dyshuar që po përdoret për spiunazh dhe për t’i bërë opozitë NATO’së është edhe Qendra Humanitare Ruso-Serbe në qytetin e Nishit, një projekt që u nis në vitin 2009 mes dy shteteve respektive dhe u finalizua me një marrëveshje ndër-shtetërore të miratuar edhe nga Kuvendi i Serbisë në vitin 2012. Mediat serbe jo pak herë kanë raportuar që Bashkimi Evropian ia ka kërkuar Beogradit mbylljen e kësaj qendre.
Ajo qendër edhe sot funksionon dhe nuk dihet shumë për projekte që kryhen nga kjo qendër humanitare, por ka një numër të madh të të punësuarve që i bënë autoritet kosovare të besojnë se është më shumë një qendër e spiunazhit se sa një qendër humanitare.