Site icon Telegrafi

Historia që u shkrua me sharki…

Nëse i referohemi thënies së vjetër se historia është mësuese e njerëzimit, atëherë ka shumë gjasa që politikanët e vendit të kenë ikur nga kjo orë. Historia na mëson për të kaluarën, por edhe të ardhmen… Sidomos për të ardhmen. Gjithsesi, jo historia e shkruar me sharki … pas lufte.

Para luftës në parlamentin serb, në strukturën e deputetëve dominonin mjekët. Publicistët e pavarur serbë ironizonin asokohe se politika serbe asnjëherë më parë nuk kishte qenë kaq e sëmurë. Në analogji me këtë, në disa poste me rëndësi në këtë vend sot qeverisin historianët. Kryetari i parlamentit dhe kryeministri janë prej tyre ata që zënë pozita më të larta. Rrjedhimisht, raporti ynë me historinë do të duhej të ishte më i qartë. Por nuk duket të jetë ashtu.

Derisa dukej se kungulli qeveritar po shkonte rehatshëm mbi ujë dhe se parlamenti ishte shndërruar në një “hajt pak” ku flitet sipas qejfit, e ndikimi në ekzekutiv është kurrfare, megjithatë po ka dridhje të brendshme të cilat po e tronditin herëpashere skenën politike të këtij vendi të vogël, i cili tashmë nuk mund të vetëquhet as shteti më i ri në botë. Për aq sa mund të quhet shtet, bazuar në marrëveshjet që po i arrin kohëve të fundit, ku sipas kryeparlamentarit, në shumë vende vullnetarisht hiqet dorë nga prerogativat shtetërore. Sidoqoftë, kryeministri pas një kohe të gjatë ishte në Bruksel, ku pozoi para kamerave e dha disa deklarata.

Edhe nga udhëtimi i shkurtër në Dubrovnikun e bukur, përpos se acaroi nervat e zyrtarëve të fqinjit verior, rrugës së kthimit i bëri edhe dy-tri takime prej të cilave mediat e regjistruan atë me ish kryeministrin malazez dhe kryeministrin aktual shqiptarë.

Çka i tha Gjukanoviq kryeministrit tonë?

Çka i kanë thënë njëri tjetrit z. Gjukanoviq dhe z. Thaçi, kjo mbetet të supozohet ose të merremi me thashetheme se kryeministri po hulumton metodat e “aterimit të butë” nga pushteti për çka kryeministri malazez është treguar shembull shkollorë i suksesit dhe shkathtësitë e tij për të bërë kompromise dhe për të “shpërlarë” biografinë dhe paratë janë pranuar botërisht.

Megjithatë përplasjet e fundit në parlament, duket se po marrin përmasa përtej logjikës “hajt pak” dhe mund të preken themelet e partisë në pushtet, e cila me manipulime të shumta zgjedhore dhe me angazhimin personal të kryeambasadorit, qoftë përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në procesin zgjedhorë, qoftë përmes SMS – kadrovikës, e ka ndërtuar një koniunkturë për aq të qëndrueshme sa për t’i kontrabanduar krejt detyrat e “vërteta” të cilat i ka marrë përsipër, e për të cilat parlamenti vështirë se di diçka konkrete. Historiani tjetër, kryetari i parlamentit, madje, duke iu referuar kësaj diplomacie konspirative, ka deklaruar publikisht se parlamenti nuk din asgjë rreth bisedimeve me fqinjin verior.

Po ashtu tema tjetër, përpos bisedimeve, e cila po hapet dhe po duket të ketë potencial shpërthyes, ka të bëjë me imunitetin e deputetëve. Kjo temë, po ashtu, dy krye-historianët e këtij vendi po duket se i ka qitë në taborre të kundërta. Kryeparlamentari, më i afërt me strukturën e partisë dhe kryeministri me ekipin e tij formal e joformal me të cilin e ka udhëheqë në vazhdimësi edhe partinë e tij, e më vonë edhe qeverinë, detyrimisht do të përplasen rreth imunitetit sepse presioni ndërkombëtarë është në rritje. Edhe ndërkombëtarët kanë mbledhur mend dhe nuk po sillen më si kauboj në një kafene të “perëndimit të egër”.

Çështja e nxehtë e imunitetit

Çështja e imunitetit, nuk është se nuk e ka edhe një “bisht” tjetër. Ajo nuk është krejt e shkëputur as nga vet kryeministri aktual, kur kihet parasysh se ne tashmë e kemi një ish-kryeministër duke u gjykuar nga Tribunali i Hagës. Vesh më vesh, e me raste edhe publikisht, flitet për montime të dëshmive rreth ish- kryeministrit. Në fakt, ai pat dhënë dorëheqje kur u ngrit aktakuza ndaj tij. A do të veprojë kaq burrërisht edhe kryeministri aktual nëse lënda ndaj tij arrin të formësohet në aktakuzë? Do të japë dorëheqje apo do të ndezë një zjarr tjetër edhe më të madh?

Por, historia që nuk mësohet, përsëritet. Nxënësi ka mbetur i njëjtë. Me shkrepse në dorë duke ndezur krejt zjarret e brendshme, ndërkohë që mësuesi i fuqishëm ia mbulon të gjitha, duke ia arsyetuar me arsye strategjike. A janë arsyet strategjike apo personale e grupore ? Kjo duket të jetë pyetja kryesore!

Nëse i referohemi thënies së vjetër se historia është mësuese e njerëzimit, atëherë ka shumë gjasa që politikanët e vendit të kenë ikur nga kjo orë. Historia na mëson për të kaluarën, por edhe të ardhmen. Sidomos për të ardhmen. Gjithsesi, jo historia e shkruar me sharki … pas lufte.

Exit mobile version