Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” në Kosovë, sot gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë dëgjuar një ligjëratë nga eksperti amerikan Terrence Hake.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi ka theksuar edhe progresin që kanë arritur në trajtimin e rasteve të korrupsionit.
Gjatë ligjëratës, Hake ka elaboruar përvojën e tij gjatë katër viteve kur ka vepruar si agjent i fshehtë nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në hetimin e njohur si “Operacioni Greylord”.
Ish-prokurori Terrence Hake gjatë viteve të 80-ta kishte shërbyer si agjent i fshehtë në një hetim të gjerë të FBI-së duke u paraqitur fillimisht si prokuror i korruptuar i cili merrte ryshfet nga avokatë mbrojtës, pastaj edhe si avokat mbrojtës që u jepte ryshfet gjyqtarëve dhe personelit gjyqësor për lirimin e të akuzuarve.
Hetimi kishte rezultuar në akuza për marrje e dhënie ryshfeti ndaj gjyqtarëve, avokatëve mbrojtës dhe personelit të gjykatës duke mbetur ende një nga hetimet e fshehta më të suksesshme të FBI-së.
Pas prezantimit të historisë dhe një videoje rreth “Operacionit Greylord”, Hake u përgjigj në pyetjet e gjyqtarëve dhe ndau pjesë interesante prej kohës kur shërbeu si agjent i fshehtë.
Gjithashtu, ai dhuroi librin e tij me dedikim për kryetaren e Gjykatën Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi.
Libri i titulluar “Operacioni Greylord” trajton historinë e vërtetë të agjentit të fshehtë dhe hetimin më të madh të korrupsionit në Amerikë.
Ndryshe, ligjërata e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mundësuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. /Telegrafi/