Pastiçeria “Nënat duararta” në Gjakovë e drejtuar nga tri gra, ka një histori të dhimbshme.
Tri gra që secila nga to ka nga një boshllëk në shpirtin e saj që nga koha e luftës, pasi kanë humbur më të dashurit e tyre kanë filluar një iniciativë biznesi.
Suphije Tafarshiku, Elvane Dana dhe Xheve Krasniqi drejtojnë pastiqerinë “Nënat duararta”.
Ato në mars të vitit 2016 hapën këtë sipërmarrje dhe në të punojnë gra që kanë pësuar nga lufta.
Të tria kanë qenë pjesë e shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga ku edhe ju ka lindur ideja.
“Synimi ynë ka qenë që pos të harrojmë pak dhembjet që na ka shkaktuar lufta, të plotësojmë edhe nevojat për mbijetesë të bashkëshorteve të prekura nga lufta. Pra dhimbjen në shpirt ta kthejmë në fuqi, jo të harrojmë atë që na ka ndodhur në luftë por t’i tejkalojmë ato vështirësi”, thotë për RTV Dukagjinin Suphije Tafarshiku.
Tafarshiku shprehet mirënjohëse ndaj Komunës së Gjakovës që i ka ndihmuar përmes një granti në vitin 2015.
Lokali për këto gra është një strehë ku ndajnë mallin dhe gëzimin.
Edhe Elvane Dana është e lumtur për këtë punë.
“Puna më shoqe këtu na bënë të ndjehemi mirë, pasi e kemi të njëjtën dhimbje”, tregon Elvane Dana.
Dëshira më e madhe e tyre është që të jenë frymëzim për çdo grua, që të mos dorëzohen nga sfidat që sjell jeta./Telegrafi/