Site icon Telegrafi

Historia e rrallë: Kur gjermanët dhe britanikët ndaluan luftën për Krishtlindje (Video)

Lufta e Parë Botërore kishte hyrë në muajin e pestë. Miliona ushtarë shtriheshin në llogore përgjatë Evropës. Kushtet ishin skëterrë. I ftohti i hidhur i dimrit u shkonte deri në palcë. Llogoret ishin përmbytur dhe ushtarët qëndronin bashkë me minjtë dhe parazitët.

Të vrarët shtriheshin në tokën që ndante forcat kundërshtare dhe trupat e tyre dekompozoheshin pranë të gjallëve.

Kur në fushat e betejës ra muzgu, ndodhi diçka e jashtëzakonshme.

Gjermanët filluan të ndiznin qirinj në pemët e Krishtlindjeve që ishin dërguar në front.

Ushtarët gjermanë nisën të këndonin këngë Krishtlindjeje. Ata britanikë u përgjigjën me duartrokitje.

Në fillim pak të stepur, por më pas u çliruan. Filluan dhe ata të këndonin këngë Krishtlindjeje pas armiqve të tyre gjermanë.

Disa burra nga të dy frontet filluan të ecnin drejt njeri tjetrit.

Ndërsa fjala përhapej, mijëra burra dilnin nga llogoret e tyre. Ata shtrënguan duart, shkëmbyen cigare dhe ëmbëlsira dhe ndanë fotot e familjeve të tyre. Biseduan gjatë, kujtuan krishtlindjet e mëparshme dhe bënin shaka për absurditetin e luftës.

Nga armiq vetëm 24 orë më parë, ata e gjetën veten duke ndihmuar njëri-tjetrin për të varrosur shokët e vdekur. Madje luajtën disa herë futboll ku merrnin pjesë edhe oficerët e frontit.

Megjithatë kur lajmi shkoi në veshin e komandës, gjeneralët nuk u treguan aspak entuziast.

Të shqetësuar se armëpushimi mund të dëmtonte moralin ushtarak, ata morën menjëherë masa për të frenuar trupat e tyre.

“Armëpushimi i Krishtlindjes” përfundoi po aq shpejt sa dhe filloi duke vijuar luftën që do të përfundonte katër vjet më vonë me 8.5 milionë ushtarë të vrarë.

Ndërsa fushëbeteja supozohet të jetë një vend ku heroizmi matet me vullnetin për të vrarë dhe për të vdekur për atdheun, këta burra zgjodhën një lloj tjetër guximi: Ata depërtuan në vuajtjet e njëri-tjetrit dhe kërkuan ngushëllim në premtimet e njëri-tjetrit.

Por përse ndjehemi kaq të prekur nga ajo që këta burra bënë? Sepse ata zgjodhën të jenë thjesht njerëzorë! /Dita/

Exit mobile version