Site icon Telegrafi

Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në shtetin New York për të shtypur një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane.

Nëntë pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit.

Rebelimi kishte shpërthyer më 9 shtator, kur një grup të burgosurish nuk pranoi të ndahej në grupe më të vegjël për të kryer punët e zakonshme të mëngjesit.

Revolta u përhap, ndërkohë që të burgosurit filluan të thyenin dritaret dhe të digjnin orenditë e burgut.

Brenda disa orësh, 1 mijë e 500 të burgosur iu bashkuan revoltës dhe morën peng dhjetëra punonjës të burgut.

Vendimi për dërgimin e policisë u mor katër ditë pas dështimit të bisedimeve të vështira për lirimin e pengjeve.

Të burgosurit u kishin paraqitur zyrtarëve një listë kërkesash, përfshirë përkujdesje më të mirë mjekësore, heqjen e censurës mbi materialet për lexim, lirinë fetare dhe një program për ”rehabilitim real” për t’i përgatitur të burgosurit për jetën jashtë mureve të burgut. Zyrtarët plotësuan disa prej kërkesave.

Mirëpo, zyrtarët kundërshtuan kërkesat e të burgosurve që ata të mos gjykoheshin për vdekjen e rojeve të burgut dhe për pjesëmarrjen në rebelim.

Exit mobile version