Një pjesë e historisë kulturore dhe ekonomike të Prizrenit të shekullit XX po dokumentohet përmes projektit “Prizren Urban Memoryscape”.
Ky projekt i cili po realizohet nga “Iniciativa e Historisë Gojore”, në bashkëpunim me fondacionin “Lumbardhi” përfshin hulumtimin, arkivimin dhe ekspozimin e tregimeve dhe materialeve të njerëzve që kanë punuar në fushën e ekonomisë dhe kulturës në Prizren gjatë kësaj periudhe.
Erëmirë Krasniqi, drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, ka thënë se pos dokumentimit të së kaluarës, ky projekt ka pasur qëllim që t’i trajnojë studentët në mënyrë që ata të prodhojnë dije rreth historisë së komunitetit të tyre.
Projekti i cili është mbështetur nga fondi Franko-gjerman, ka filluar të implementohet në mars të vitit 2018, ku rreth 13 studentë janë trajnuar në metodologji gojore dhe arkivim, për të filluar më pas me realizimin e intervistave dhe mbledhjen e materialeve.
Krasniqi ka treguar se punën në këtë projekt e kanë bërë në bashkëpunim me Fondacionin “Lumbardhi”, si dhe kanë kontraktuar ekspertë nga Gjermania dhe Franca.
Krejt kjo punë e stafit dhe organizatave bashkëpunuese dhe e pjesëmarrëseve sipas Krasniqit do të kurorëzohet me një ekspozitë gjatë shtatorit, gjatë së cilës do të dokumentohen materialet dhe tregimet e mbledhura nga kujtesa e njerëzve që kanë kontribuar në forma të ndryshme në ekonomi dhe kulturën e Prizrenit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. /KP/