Site icon Telegrafi

Historia e Osman Zymit, një prej fotografëve të parë në Kosovë: Dritëshkronja e Mitrovicës (Foto)

“Shqiptarët janë pjesë e popujve fatlumë, sa i takon pjesëmarrjes dhe kontributit në historinë e fotografisë botërore. Ne ‘u vonuam’ vetëm 19 vjet pas shpalljes së zbulimit të fotografisë (1839), kur në Shkodër në vitin 1856 u hap studioja e parë fotografike nga italiani Pjetro Marubi. Kjo studio njëherësh ishte edhe studioja e parë fotografike në Ballkan. Ju rikujtoj se ndonëse kryeqendër e Perandorisë Osmane, Stambolli u bë me studion e tij të parë tek në vitin 1915”, ka thënë në një intervistë për Telegrafin, profesori dhe artisti i fotografisë, Fahredin Spahija.

Kur është fjala tek fotografitë, sigurisht që shkrepja e saj duhet të bëhet me mjeshtri, me një dell artistik, diçka që sot keqkuptohet. Në ditët e sotme të gjithë mendojmë se jemi fotografë, sipas mënyrës tonë. Mirëpo, dikur fotografia – pos profesionalizmit – ishte profesion që kërkonte edhe sakrificë, sidomos në rrethanat jo të lehta në të cilat kanë kaluar shqiptarët dikur.

Të tilla ishin edhe vitet ’20 të shekullit të kaluar. Fotografia atëherë bëhej jo vetëm rrallë, po edhe nga njerëzit e zanatit. E, produkti final ruhej me fanatizëm ndër gjenerata. Ky produkt, ky imazh në letër, sot ka vlerë më të madhe se dikur, sepse është dëshmi e kohëve që po harrohen.

Njëri ndër fotografët e parë në Kosovë, sidomos në Mitrovicë, ishte Osman Zymi. Ai ka lindur në vitin 1903, në këtë qytet. Rrjedhë nga një familje e jugut të Shqipërisë, që më vonë është shpërngulur në qytetin e Gjakovës. Në Gjakovë ndërrohet mbiemri nga Kryeziu në Haxhi Hasani, për të vazhduar më tej me zhvendosjen e kësaj familje në qytetin e Mitrovicës.

Osman Zymi sot nuk kujtohet vetëm për fotografi të qytetarëve të rëndomtë, por për fotografitë e shumë emrave të njohur në atë kohë, sidomos të patriotëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, anëtarët e Ballit Kombëtar etj.

Ai, në vitin 1925, për herë të parë në Mitrovicë hap studion e fotografisë me emrin “Foto Atelie”. Sot, nga disa nipër e mbesa të Osmanit, historinë e familjes na e rrëfen nipi i tij, Mithat Zymi.

“Osmani me vëllain e tij Xhemajlin, në Mitrovicë, për herë të parë punojnë me një dyqan tregtar, me tekstil. Me iniciativën e vëllait të vogël, Xhemajlit, ata hapin studion e parë të fotografisë, të quajtur ‘Foto Atelie’. Aparati i tyre i parë ishte dhuratë nga një anglez”, thotë ai për Telegrafin.

Sipas nipit, jeta e Osman Zymit, edhe pse me shumë peripeci, përmbushet pasi sjell në jetë – me gruan e tij Vasvijen nga Bellopoja – djemtë Shaqirin, Halitin, Shevkiun dhe Kemajlin, si dhe vajzat Esmën dhe Selvetin.

Studioja dikur

“Osmani qysh në moshën e re merret edhe me aktivitete të tjera: hapjen e shkollës në gjuhën shqipe në bodrumet e shtëpisë së tij, me emrin ‘Skënder Beu’; pastaj i bashkëngjitet Ballit Kombëtar në Mitrovicë, ku edhe përndiqet nga regjimi i atëhershëm serb dhe burgoset disa herë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për arsye të aktivitetit të tij në Ballin Kombëtar, detyrohet të largohet nga Mitrovica për në Suhodoll. Për t’i humbur gjurmët e identitetit të tij, si aktivist ndërron mbiemrin nga Haxhi Hasani në Zymi, të cilin mbiemër e mbajmë ende”, shtoi tutje nipi i tij.

Shaqir Zymi

Lufta për ekzistencë dhe për atdhetarizëm nuk mbaron këtu. Sipas nipit të tij, familja nuk e mbyll lokalin, por ajo drejtohet nga djemtë Shaqiri dhe Haliti.

Osmani me fëmijët e tij

“Këta punojnë edhe si arsimtarë në Shkollën Teknike të Mitrovicës, që nga viti 1953, në lëndët Kimi-Fizik (Shaqiri ) e Matematikë (Haliti)”, thekson ai.

Osman Zymi vdiq nga infarkti në moshën 51 vjeçare, në vitin 1954.

Duke ndërtuar studion e parë të fotografisë në Mitrovicë

“Shaqiri, babai im – si më i vjetëri në familje nga djemtë – vazhdon të merret me fotografi edhe pse mësimdhënës. Edhe ai torturohet nga regjimi serb dhe burgoset për një kohë të shkurtër. Babai ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare, rrugës për t’u furnizuar me materialet për fotografi. Isha një vjeç kur më la. Nuk arrita ta njihja babanë tim, pos përmes nënës sime dhe fotografive. Pas vdekjes së babait, zejen e fotografisë e vazhdoi nëna ime, Myzejeni”, tregon ai, gjersa shprehet se nëna e tij me këtë zeje arriti t’i rriste pesë fëmijët e saj jetimë, shkruan Telegrafi.

Osmani me familje

Tradita e familjes Zymi vazhdon nga vëllai i Osmanit, Kemajli, dhe nga gruaja punëtore e Shaqirit, duke u bërë kështu si femra e parë fotografe në Mitrovicë.

Studio më 1920

“Axha im Kemajli dhe nëna ime vazhdimisht punonin në lokal. Mësimin e fotografisë e mora nga ta, duke u bërë kështu – unë me motrat e mia – dorë e djathtë e nënës deri në vitin 1980, ku përfundimisht përgjegjësia e studios ‘Foto Zymi’ më kalon mua”, u shpreh Mithati.

Myzejene Zymi, fotografja e parë në Mitrovicë

Sipas tij, nuk ishte shumë e lehtë të mbaje një lokal fotografie në këmbë, pasi sistemi ta vështirësonte punën profesionale.

“Si fotograf i ri vazhdova me hapat e të parëve të mi, duke punuar në lokal. Jam marrë me aktivitete të ndryshme, si incizime të aktiviteteve patriotike për historinë e Isa Boletinit, të cilat i dërgoja në Shqipëri; incizime të lojërave sportive shqiptare; dokumentimet për gazeta të ndryshme të rrahjeve të punëtorëve të larguar me dhunë nga puna etj.”, tha ai.

Mithati dikur, tek "Foto ZYmi"

Më 1996 Mithati detyrohet ta mbyll lokalin e fotografisë, për arsye të detyrimeve të mëdha tatimore. E, gjatë luftës së fundit në Kosovë, “Foto Zymi” demolohet plotësisht.

Mithati sot

“Momentalisht jam zyrtar i shërbimit teknik në Komunën e Mitrovicës së Veriut”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk i është shuar kurrë dëshira për riaktivizim e trashëgimisë familjare – të fotografit. “Por, për shkak të mundësive financiare, kjo mbetet tash vetëm një ëndërr”.

Foto-aparatët e përdorur nga familja Zymi

Profesori Spahija thekson se Osman Zymi (apo Osman Haxhi Hasani), është mitrovicasi i parë që hapi një studio fotografike ne Mitrovicë dhe ndër të parët në gjithë Kosovën.

Osman Zymi me gruan dhe djemtë (Foto e siguruar nga Fahredin Spahija)

“Ky status, prej fotografi të parë mitrovicas, i mundësoi atij të bëhej dëshmitar i shumë ngjarjeve historike të rëndësishme që kishin lidhje me Mitrovicën. por edhe me personalitete të rëndësishme që vinin nga ky qytet i rëndësishëm ekonomiko-social dhe kulturor”, thotë Spahija për Telegrafin.

Ai përmend faktet se nga fotografitë e Zymit mund të kuptojmë se si dukeshin edhe burrat që përfaqësuan Mitrovicën në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, siç ishin, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Gjinaj… për çka fototeka e tij duhet të ruhet. 

Osman Zymi, foto e vitit 1922 (Fotografi e siguruar nga Fahredin Spahija)

“Osman Zymin, përveç të angazhuar si fotograf e gjejmë edhe të angazhuar ne aktivitete patriotike të kohës, duke i mbështetur ato, jo rrallë edhe finansiarisht! Uroj që familjarët të dinë ta ruajnë trashëgiminë që ua ka lënë i pari i tyre duke u përkujdesur për fototekën e shpëtuar nga lufta e fundit! Ajo ma shumë se për çdo gjë tjetër duhet ruajtur për arsye dokumentare sepse, siç thash edhe më parë, Osmani ka fotografuar personalitetet kryesore politike dhe shoqërore të Mitrovicës të cilët në vitet e dyzeta të shekullit të kaluar luajtën rol të rëndësishëm edhe në rrafshin kombëtar. Mendoj se autoritetet politike dhe kulturore te Mitrovicës do të duhej të krijonin një grup punues nga fusha e historisë dhe e fotografisë, i cili do të mblidhte fotografitë e krijuara nga ky fotograf pionier, që t’i trajtojë e t’i studiojë ato dhe pastaj si akt final të botojë një monografi të tij. Kjo do ta nderonte gjithë mundin e tij dhe familjen e tij të respektuar, por njëkohësisht edhe qytetin e Mitrovicës”, ka thënë Spahija. /Elfije Boletini/Telegrafi/

 

Exit mobile version