Site icon Telegrafi

Historia e një të burgosuri, si kurë për ditët tona

Four open books in the colored cover on the table made of boards.A stack of books in the colored covers on the table with a red tablecloth. Still life with books.

Nga: Flurans Ilia

Analizë e veprës “Epistolari i Zaratës” , të autorit Luan Rama

Në zgripcën e thepisur të këtij kaosi mendor, moral dhe fizik që ka përfshirë mbarë botën, nuk mundet të anashkalojmë situatën e vështirë në të cilën jemi përfshirë të gjithë këto kohë pandemike.

“Epistolari i Zaratës” me autor Luan Rama, më erdhi si melhem, si kura e duhur për të ngritur sërish në këmbë moralin e njeriut të ngujuar këto ditë. Jo vetëm në këtë aspekt. Ndër faqet e librit gjeta si lexues forcën reale të cilën vetëm vepra solide mund ta përqafojë me një dinamikë të brendshme në këto rrethana të absurdit në jetët tona.

Pra kura ishte e dyfishtë, si njeri dhe lexues.

Gjuha e personazhit si forcë motorike e romanit

Ka një veçori në ligjërimin dramatik, kryesisht në letërsinë e Ballkanit. Ligjërim i cili natyrshëm bën pjesë edhe te shqipja e lëvruar. Është një koncept burimor i trashëguar qysh prej antikitetit me “dithirambin” e njohur.

Kjo formë emotive ligjërimi në vijën e parë, narrativë e gjuhës së personazhit udhërrëfyes, ngelet një nga pikat më delikate në subjektin e një vepre letrare. Sepse një roman udhëhiqet nga subjekti.

Por, çfarë ndodh me “Epistolarin e Zaratës”? Mendoj se kjo është gjetja e parë e këtij libri çka përbën një risi në fushën e romanit.

“… Një shkrepëtimë rrufeje e prishi gjumin tim dhe unë erdha në vete si dikush që e kanë zgjuar me dhunë. Ashtu në këmbë, u ktheva dhe pashë rreth meje duke vështruar gjatë për të parë vendin se ku më kishin sjellë. Në të vërtetë gjendesha në skajet e një lugine me një humnerë të dhimbshme ku bashkoheshin vajtime të pafundta…” – Dante, Ferri, kënga IV.

Jemi tërësisht të përthithur në shtjellën drama e romanit.. Sapo kemi kapërcyer letrën e parë, si me qenë në pragun e vet Ferrit, midis reales dhe trillit artistik, dendësohet trysnia e rrymës së fjalëve. Nga njëra anë Universi i Dantes …

“… Kam ardhur nga një vend ku drita hesht, një vend që gjëmon si deti në furtunë. Kjo furtunë e tmerrshme që nuk ka pushim i shtyn hijet me tërbim: ajo i godet, i rrotullon, i kërcënon…” – Dante, Ferri, kënga V.

Në krahun tjetër tokëzimi i duhuri historisë së individitme këtë tokë.

Frederik Çoba (Mark Ndoja), i burgosur politik i viteve 1950, intelektual i kulluar, përkthyes, personazhi ynë rrëfimtar nëpërmjet të 13-të letrave shkruar nga internimi për të dashurën e tij Bruna (Milena).

Të gjitha këto nuanca, shkrimtari Luan Rama i ndërmerr si artizan i ngujuar në punishten e veprës, duke na dhënë si fillim vetëm fillin e hyrjes. Si për të na ftuar në botën e subjektit të romanit të vet.

Më tej, fatin e rrëfimit e merr në dorë personazhi Frederik Çoba i cili edhe ky, si ato shejzat në një det të hapur e të trazuar ku fati i njeriut i përngjan farit të largët të shpresës, udhëhiqet nga Dante Alighieri. Më qashtër nga Ferri i Dantes.

“…Sipër portave pashë mijra djaj hedhur nga qielli që thonin gjithë zemërim: Kush është ai që pa qenë i vdekur shkon në mbretërinë e shpirtrave të vdekur ?…” – Dante, Ferri, kënga VIII.

Ajo çka karakterizon këtë ligjërim të brendshëm të letrave të Frederik Çobës, gjithmonë duke ndjekur fillin e rrëfenjës, është njeriu i vendosur në raport të ngushtë me dramën sociale në të cilën po kalon shoqëria shqiptare, nën një nga regjimet më të egra totalitare.

Nën këtë trysni, ku fjala “regjim” mbart një ngjashmëri të frikshme me fjalën “rrëgjim”, sipas foljeve “rrëgjoj”, “rrëgjohemi”, rrëgjim i tingullit, trupit, moralit, rrëgjim i vet gjuhës nën regjim totaltar, gjuha e personazhit gjen atë forcën shtytëse drejt të përjetshmes, dashurisë. Ndryshe nga një vepër në prozë, ku subjekti tërheq gravitetin e fjalës, personazhi ynë na flet, udhëheq me një gjuhë akoma edhe më të epërme, poezinë. Në poezi, ndryshe nga proza, është pikërisht përzgjedhja e fjalës ajo që unifikon historinë e rrëfimit. Dhe autori ka punuar me mjaft finesë dhe elegancë në këtë drejtim për të mos prishur ekuilibrin e romanit. Kjo madje, është forca motorike e gjuhës së përzgjedhur nga autori nëpërmjet këtyre letrave epistolare, të cilat kanë humbur në realitetin e frikshëm të asaj epoke. Duke i rishkruar këto letra, duke i veshur përjetësisht me poezi, autori Luan Rama krijon njëherazi atë forcë morale e cila e vesh ritualin e leximit me një katharsis të brendshëm. Dëshmi okulare e cila trondit rrënjësisht ndërgjegjen e lexuesit. E shkund nga themelet e qenies njeriun. Ia merr frymën e paranojës sociale duke e shndërruar në zë të fuqishëm, njësoj si zëri i Dantes.

“Ngrihu tani dhe mposhte ankthin përmes kurajos, mos u përkul sepse kjo të bën të fitosh betejat…” – Dante, Ferri, kënga XXIV.

Vetëm pasi ke përfunduar faqen e fundit të librit, ti, njeriu dhe lexuesi i këtyre faqeve, ndjen këtë lloj frymëmarrjeje të tokës kur nisin e çelin sythet e para pas një ngujimi kaq të acartë. Kjo na kujton atë shprehjen e poetit Khalil Gibrani: “Nëse dimri do thoshte: “Pranvera është në zemrën time”, kush vallë do e besonte?”

Do e konsideroja si “stil i brishtë dhe vital” njëherazi, këtë gjetje gjuhësore dhe letrare me të cilin është shkruar “Epistolari i Zaratës”. E vlerësoj romanin si një nga më të arriturit që kam ndeshur së fundi nga letërsia jonë. E pse jo, dinjitoz karshi romanit evropian të këtyre viteve të fundit.

Libri i përkthyer dhe botuar tashmë në frëngjisht, anglisht dhe italisht, është pritur ngrohtë nga opinioni kritik. Botuesi australian Nick Walker shkruan: “Duket që është një letërsi e një cilësie të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Është po aq tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe duke evokuar në mënyrë kaq të efekshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), apo Craven dhe Philip Adams.”

Përqasja po aq tokësore sa edhe universale, me jehona nga Ferri i Dantes dhe shtjella dramatike e historisë reale janë shkrirë aq natyrshëm, sa do thosha me zë, dhe po e them, tepër i bukur për të qenë kaq i vërtetë!.

Rrëfimi i Luan Ramës udhëheq drejt një realiteti jetëgjatë në shtigjet e vështira të rrëfimit si dëshmi dhe art.

Një tjetër dukuri e veçantë e cila bie në sy te “Epistolari i Zaratës” është padyshim gjuha filmike me të cilën është shkruar.

Ndodh, madje shpesh, vepra të caktuara janë të vështira për t’u kthyer në imazh. Kjo nga disa veçori karakteristike të gjuhës së romanit. Njëra ndër to ngelet transkriptimi i fjalës në imazh. Njëherazi duke qenë edhe shkrimtar edhe kineast, Luan Rama e vendos subjektin e romanit të vet diku në një ishull të përhumbur mes detit, lagunës, qiellit dhe tokës, të quajtur Zarata (Zvërneci, kjo mrekulli panoramike e Shqiprisë së përjetshme). Në këtë ishull…

“…në brigjet e jugut shqiptar, në një lagunë të cekët, mbuluar plot gjelbërim, me gëmusha, qeparizë dhe pisha të larta, aq sa të duket se je në një vend parajse. Pas një rripi të ngushtë toke, nga prapa, shtrihet deti, ndërsa përpara, kur vjen në ishull, në breg është një postë vrojtimi me ushtarë dhe pak si në kodër, nja dyqind metra më larg, është fshati me një kishë dhe kambanore që dëgjohet të dielave sa herë ka meshë. Por zhurma e saj është e shurdhët. Tregojnë se është goditur nga një bombë avioni të aleatëve anglezë. Të tjerë thonë se me atë kishë është zemëruar perëndia, prandaj dhe tingujt e kambanës janë të çjerrë…” (Në vend të hyrjes)

Po të hysh më thellë imazheve të Ramës, e kap veten papritur në një transhe jo të zakonshme. Nga lexues i faqeve në një libër, bëhesh shikues ball’ për ballë ekranit të madh të kinemasë. Mendoj se në këtë pikë fillon beteja e vërtetë e subjektit me fjalën. Qysh kur mbyll faqen e fundit, deri tani që po shkruaj këto rreshta, e kam të vështirë të shuaj nga kujtesa imazhin. Ai lëviz në mendje duke më bërë të lëviz edhe unë bashkë me të, në krejt të tjera rrathë të përjetimit estetik. Ndodh si me pikturat e Rilindjes evropiane. Sepse vëzhgimi përfshihet në dinamikën lëvizëse të veprës. Si me qenë në bashin e anijes së rrahur nga erërat, aty ku dhimbja dhe ngazëllimi i njeriut tejkalon çdo kufi. Një metafizikë e tërë e cila gjallon brenda realitetit të qenies njerëzore, dhe jo vetëm. Një mrekulli në kontekstin ndërtimor dhe përzgjedhjen e teknikave të rrëfimit të imazhit si sendërtim ndërshtresor i subjektit të veprës. Ja një nga shembujt tipik se si ndërthuren këto imazhe.

“Një mbrëmje binte shi. Seferi ishte trishtuar në kulm se kërkesën e gruas së tij e kishin refuzuar si dhe herët e tjera që ajo të vinte ta takonte këtu. Ishte bërë si i xhindosur dhe si një dem i plagosur vinte vërdallë në sallën e manastirit. Vërtitej, shante dhe një çast shtyu portën e rëndë dhe doli në mes të shiut që binte. Shiu vazhdonte dhe ai filloi të hiqte trikon, pastaj këpucët, pantallonat dhe pastaj gjithçka, dhe ashtu lakuriq i klithte ‘Bulldokut’ që ruante tutje me një automatik në dorë: – Thomëni, çfarë ju kam bërë? Përse nuk e lejoni gruan time? Përse më mbani këtu? Apo se i dhashë luftës aq shumë? A nuk ju mjafton kjo plagë që kam marrë në luftë dhe gjaku i tim vëllai?… Seferi klithte, ndërsa tutje përballë, nën një mushama të errët, “Bulldoku” qeshte me të madhe tek e shikonte ashtu lakuriq. – ‘Ha, ha, kujdes se të laget prapanica!’ Papritur, ai lëvizi llozin e automatikut, ndoshta për ta trembur, dhe unë me Sotirin nxituam ta merrnim dhe ta fusnim brenda, edhe pse ai kundërshtonte, duke shtuar: – ‘Le të më vrasin, aq më bën! E ç’e dua këtë jetë në robëri?…’ Ne e tërhiqnim ashtu lakuriq, duke mbledhur rrobat dhe këpucët e tij me baltë, por ai vazhdimisht i kthehej ‘Bulldokut’ duke i thënë: ‘Vështroje, vështroje këtë plagë që një ditë ta kujtosh! Kjo është lufta ime, jo juaja!…’ Tutje ‘Bulldoku’ qeshte me të madhe vazhdimisht. Ishte një skenë e dhimbshme, e paharrueshme. Më së fundi e futëm brenda. Ah, Bruna e dashur. Këtu është një jetë tjetër. Zemrat tona klithin. A thua do të na dëgjojnë? Sidoqoftë ne do mundim të mbijetojmë!… Pastaj, në mesnatë, kur era e madhe dhe shiu pushuan, të trembur e të hallakatur, lakuriqët vinin ende vërdallë, rrihnin krahët me klithmat e tyre të çjerra. Dy prej tyre u përplasën në xhamin e dritares, i cili menjëherë u thye me forcë.” (Letra XI)

Ky episod, ndërmjet të tjerash, me dramacitet të rrallë mendoj se është vërtet një skenë e fortë për ngasje filmike. Platoja (skenë teatri apo shesh xhirimi) ku zhvillohet drama e njeriut shoqëruar nga kori i tragjedisë njerëzore. Sepse Historia mundet të ripërsëritet. Njeriu goditet papritur nga forca të errëta të historisë përgjatë saj. Por, ajo çka e ngujon historinë te njeriu është vepra e mbijetesës.

“… Që kujtimi yt të mos shuhet kurrë në botën e parë të shpirtrave njerëzorë, por të jetojë nën diej të shumtë!…” – Dante, Ferri, kënga XXIX.

E bukura si noblesë e artit të njeriut për njeriun. Dashuria si forma më e epërme e poetikës së njeriut. E vetmja që ngadhnjen mbi vdekjen. Një roman fortësisht i rekomandueshëm për të gjitha nivelet e leximit.

 

 

Exit mobile version