Telegrafi

“Historia e një fëmije që u rrit dhe u bë i famshëm, por harroi prindërit e tij”: Artistja e animacioneve me rërë lë pa fjalë të gjithë në sallë, përfshirë edhe jurinë (Video)

Një artiste e talentuar e animacioneve me rërë që fitoi “Ukraine’s Got Talent” dhjetë vjet më parë ka lënë pa fjalë jurinë dhe audiencën me një shfaqje emocionale në “America’s Got Talent: The Champions” të hënën në mbrëmje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 33 vjeçarja Kseniya Simonova, nga Ukraina, tregoi historinë e një djali të ri, i cili u rrit si artist dhe harroi prindërit e tij përmes një sërë vizatimesh të pabesueshme me rërë.

Nëna e dy fëmijëve, që fitoi “Ukraine’s Got Talent” në vitin 2009, tha se derisa rritej, ajo gjithmonë kishte dashur të vizatonte.

“Kjo është hera ime e parë në Amerikë”, tha Kseniya në një video promovuese përpara performancës së saj.

“Unë jam këtu që të përfaqësoj Ukrainën dhe dua të tregoj se është një vend i bukur artistik”, shtoi ajo.

Dhe ndërsa u ngjit në skenë të hënën në mbrëmje, Kseniya foli për historinë prapa artit të rërës që ajo do të bënte.

Ajo tha: “Kjo është një histori për një fëmijë që u rrit dhe u bë një artist i famshëm dhe harroi prindërit e tij”.

“Uroj që askush të mos i harrojnë prindërit e tyre”, shtoi ajo para fillimit të performancës së saj.

Kseniya filloi performancën e saj të rërës duke krijuar një animacion të asaj që dukej si universi.

Më pas ajo zbuloi një ilustrim të mrekullueshëm të një nëne, para se të paraqiste një burrë dhe fëmijë në figurë.

Artistja e talentuar pastaj ilustroi nënën, babanë dhe foshnjën në një fotografi dhe shtoi një ilustrim të fëmijës së rritur, ndërsa ai shikon fotografinë e vetes dhe të prindërve të tij.

Pastaj krijoi një imazh të djalit të vogël kur u rrit dhe u bë artist.

Performanca pastaj mori një kthesë emocionale kur ajo krijoi ilustrime të, tani të moshuarve, nënës dhe babait.

Ilustrimi i Kseniya më pas zbuloi se njëri prej prindërve të djalit kishte vdekur, pa e kuptuar djali.

Skena e fundit tregon djalin, tani një i rritur plotësisht, duke mbajtur zi për humbjen e prindërve të tij.

Për të kompletuar serinë e veprave të artit, Kseniya shkroi një mesazh në rërë, ku thuhej: “Mos jini vonë!”. /Telegrafi/