Veçoria Find My e Apple përdor aplikacionin me të njëjtin emër për të ndihmuar në zbulimin e pajisjeve të humbura të Apple si iPhone, iPad, Apple Watches, Mac, AirPods, AirTags dhe disa aksesorë të mbështetur të palëve të treta.
Bëhet e ditur se funksioni Find My ka çuar në rikuperimin e një Apple Watch që i përkiste një burri të quajtur Jared Brick pasi kaloi 18 muaj në oqean.
Brick kishte blerë dy Apple Watch, një për vete dhe një për djalin e tij, për t’i ndihmuar ata të qëndronin në kontakt gjatë një pushimi familjar.
Pasi mbërriti në ishujt britanikë Virgin, Jared përdori Apple Watch për të bërë disa zhytje. Distanca e zhytjeve të tij ishte brenda thellësisë 50 metra që Apple Watch është vlerësuar për përdorim nën ujë.
Dikur më vonë, Brick e kuptoi se Apple Watch nuk ishte më në kyçin e dorës së tij dhe duke hapur aplikacionin Find My në një pajisje tjetër Apple, ai raportoi orën e tij si të humbur, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Një vit e gjysmë më vonë, ai mori një telefonatë nga një banor vendas që jeton pranë Virgin Gorda duke e informuar atë se Apple Watch i tij ishte gjetur në plazh.
Djali që zbuloi Apple Watch të Jared-it e ngarkoi pajisjen dhe mesazhi i humbur u shfaq në ekran duke zbuluar numrin e telefonit të Brick.
Njeriu që gjeti orën, i quajtur Jonathan, i bëri një foto Apple Watch dhe ia dërgoi Brick. Pajisja më pas iu dërgua atij me postë.
Si themeluesi i një kompanie mediatike që mban emrin e tij (Brick House Media), Jared publikoi një video në YouTube që tregon të gjithë historinë e një Apple Watch që humbi në oqean për 18 muaj, u zbulua në plazh dhe u dërgua me postë.
Brick, në videon e tij, jo vetëm që falënderoi Jonathanin për gjetjen dhe kthimin e Apple Watch, ai gjithashtu falënderoi Apple “për krijimin e teknologjisë së mahnitshme”. /Telegrafi/