Ishte një lundërtar i madh nga një familje kolonizatorësh të tokave të shkreta. Vendosi t’i drejtohej Perëndimit, derisa u gjend në një tokë ku asnjë europian nuk kishte shkelur më parë: ai kishte zbuluar një kontinent të ri, që sërish pas 500 vjetësh do të rizbulohej nga një lundërtar tjetër, Kristofor Kolombi.
Lundërtari nga Europa quhej Leif Erikson dhe ishte një eksplorues viking që sot historianët e konsiderojnë europianin e parë që ka shkelur në kontinentin amerikan.
Ja cila është historia e Leifit dhe e familjes së tij aventuriere.
Në Perëndim
“I lindur në Islandë rreth vitit 970, Leif vinte nga një botë e populluar prej aventurierëve, tregtarëve dhe luftëtarët skandinavë të njohur ndryshe si ‘Vikingët’”, shpjegon Francesco Surdich, docent në universitetin “Xhenova”.
“Me këtë emër (që vinte nga fjala skandinave ‘vik’, gji) thërriteshin të gjithë ata që të motivuar nga dëshira për të pushtuar konfliktet e brendshme ose presionet demografike, mes shekujve VIII-XI, lundruan nga Skandinavia duke arritur në brigjet europiane dhe më pas në ato afrikano-veriore e mesdhetare”.
Familja e Leif Erikson ishte protagoniste e vërtetë e “pushtimit të Perëndimit”, që kulmoi me arritjen në Amerikë.
I ati ishte Eriku i Kuq, i cili kishte arritur të kolonizonte Groenlandën, ose një pjesë të Amerikës, meqenëse gjeografikisht është pjesë e këtij kontinenti.
Pas një vrasjeje, Erik ishte larguar nga Norvegjia bashkë me të atin dhe kishte ikur në Islandë (ku lindi edhe Leif).
Pas pak kohësh, i përfshirë në një betejë të përgjakshme, i ishte drejtuar detit duke u vendosur më në veri.
Mes viteve 982-985 kishte eksploruar një tokë pothuajse të pashkelur nga të tjerët. Ai e pagëzoi këtë vend me emrin “toka e gjelbër” “Greenland” (Groenlanda) për të tërhequr sa më shumë koloni. Krijoji dy koloni dhe qëndroi në njërën prej tyre duke krijuar “pronën” e tij, Brattahlid. Skandinavët qëndruan në Groenlandë deri në shekullin XV kur vendbanimet u braktisën.
Tregime
Ashtu si i ati edhe i biri Leif u nis në kërkim të tokave të reja. Ai që e nxiti ishte tregimi i tregtarit Bjarni Herjolfsson, i zbritur në Brattahlid. Tregtari i habiti të gjithë duke u treguar se kishte parë toka të panjohura. Ndërsa lundronte mes Islandës dhe Groenlandës, u devijua papritur nga rruga për shkak të mjegullës dhe rrymave dhe si pasojë u gjend para një toke të mbushur me pyje, pastaj para një ishulli prej akulli dhe në fund arriti të prekte brigjet groenlandeze.
Ju do të pyesni se nga i dimë ne udhëtimet e Bjarnit dhe Leifit? “Për të gjitha këto shkencëtarët janë të mirinformuar falë një sage të shkruar nga islandezët, që titullohet ‘Saga e Groenlandezëve’, edhe pse ka shumë vepra të tjera që e rrethojnë si ‘Saga e Erikut të Kuq’”, shpjegon Surdich. “Këto janë burimet kryesore rreth eksplorimeve vikinge, si dhe pjesë e të ashtuquajturave ‘sagat e islandezëve’”.
Leif, që ndër të tjera ishte konvertuar në i krishterë dhe e kishte çuar këtë besim edhe në Groenlandë, në këmbim të paganizmit nordik, bleu anijen e Bjarnit dhe u përgatit që të fillonte lundrimin e tij (aty rreth vitit 1000) së bashku me 35 burra të tjerë.
Sipas “Sagës së Groenlandezëve” në krye të udhëtimit duhej të kishte qenë baba Eriku, por në momentin e arritjes në port ra nga kali dhe vendosi të mos shkonte. Ai iu drejtua të birit duke i thënë: “Kjo nënkupton që fati nuk më ka rezervuar mua zbulimin e tokave të reja, si kjo ku po jetojmë tani”.
Akull
Nga Groenlanda, Leif lundroi drejt tokave të panjohura. Fillimisht u përball me një tokë të shkretë dhe shkëmbore që e quajti Helluland “toka e gurit”, e identifikuar me ishullin Baffin në Kanada.
Pastaj iu drejtua jugut dhe arriti në një zonë të pyllëzuar “me plazhe të mëdha të bardha dhe një bregdet të butë me pjerrësi”. Ishte bregdeti lindor i Kanadasë, i pagëzuar Markland, “toka e pyjeve”.
Në fund duke lundruar për dy ditë të tjera drejt jugut, arriti në një territor më komod.
“Leif dhe ekuipazhi i tij kaloi në një ngushticë, ku anija e tyre ngeci në rërë, kur arritën në cekëtirë. Ata arritën ta shpëtonin anijen përmes baticës dhe ta shpinin atë në mes të një lumi; më pas vendosën që ta kalonin dimrin në ato rrethina, meqenëse në pyjet ngjitur kishte drurë të mirë për të ndërtuar barake”.
Kështu e ka rindërtuar Johannes Brondsted ardhjen e Leif në librin “Vikingët”.
Florida
Në atë vend nuk kishte akull dhe bari nuk thahej, kështu që Leif dhe njerëzit e tij vendosën që të dimëronin aty, për t’u rikthyer më pas në Groenlandë.
Ata zbuluan se zona ishte e pasur me hardhi të egra prandaj e quajtën Vinland, “toka e verës” (ose sipas disa interpretimeve “toka e pashkëve”).
Po ku ndodhej Vinlandi? “Rreth pozicionit të këtij territori nuk ka siguri absolute, por me shumë gjasa në veri të Terranovës”, shpjegon profesor Surdich. Kjo është prova e mbërritjes së vikingëve në Amerikë.
“Këtu, në 1960-n arkeologët gjetën gjurmët e tetë ndërtesave dhe shumë objekteve, që të shpien te kultura vikinge dhe datojnë pikërisht në periudhën mes shekullit X dhe fillimit të XI”.
Prania e këtyre mbetjeve prej hekuri dhe druri, na bën të mendojmë se disa ndërtesa përdoreshin nga zdrukthëtarët dhe farkëtarët, ndërkohë që zbulimi i mjeteve të qepjes, si gjilpërat prej kocke, vërtetoi që në Vinland jetonin edhe gra. /TiranaObserver/