Telegrafi

Historia e futbollistit që luajti për Gjermaninë, ndërsa tash zgjodhi Rusinë

Trajneri i Rusisë, Leonid Slutskiy, ka publikuar 23 emrat e lojtarëve që do të marrin pjesë në ‘Euro 2016’, ku bie në sy prania e gjermanit Roman Neustadter.

Kjo është hera e parë që një lojtar që ka veshur fanellën e Gjermanisë, të grumbullohet edhe me kombëtaren ruse.

28-vjeçari i lindur në Dnipropetrovsk ka arritur marrëveshjen me Federatën Ruse, pasi me Gjermaninë ai është aktivizuar në ndeshje miqësore, transmeton SuperSport.

Aktualisht, Neustadter luan te Schalke 04 dhe është një emër me shumë peshë në repartin mbrojtës të Rusisë. Gjithsesi, historia e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive botërore, sepse akoma nuk e ka marrë pasaportën ruse.

I lindur në qytetin ukrainas nga babai kazak dhe nënë ruse, ai u transferua i vogël në Gjermani për të ndjekur karrierën e të atit që fillimisht u aktivizua me Karlsruher dhe më pas me Mainz.

Ishte pikërisht skuadra e Mainzit që i dha mundësinë të debutonte përpara se të transferohej te Borussia Moenchengladbach dhe më pas te Schalke.

Një tjetër i huaj në listën e Rusisë është edhe braziliani i natyralizuar rus i Lokomotivës së Moskës, Guilherme.

Të përjashtuarit e mëdhenj janë Yuri Zhirkov e Aleksandr Kerzhakov, të cilët nuk do të jenë pjesë e skuadrës ruse në Francë.

Përzgjedhësi Slutskiy që është gjithashtu edhe trajner i CSKA Moskës, i ka dhënë mundësinë e një eksperience të tillë edhe yllit të ri të skuadrës që drejton, Alexander Golovin.