Telegrafi

Historia e jashtëzakonshme e njeriut që vizitoi një oktapod çdo ditë, gjatë gjithë vitit

Craig Foster, teksa zhytej në ujërat e ftohtë të skajit jugor të Afrikës, pa një oktapod të fshehur midis disa guaskave dhe gurëve. I magjepsur, Craig filloi ta ndiqte krijesën duke u përpjekur t’i provonte se nuk ishte grabitqar. Për ditë të tëra, oktapodi iu shmang, derisa pas 26 ditësh, e preku atë

“My Octopus Teacher” është një film-dokumentar i Netflix, me regji të Pippa Ehrlich dhe James Reed.

Dokumentari, ku interpreton vetë Craig Foster, i cili shërbeu edhe si producent i filmit, tregon pikërisht gjithë rrugëtimin e marrëdhënies 12-mujore mes tij dhe oktapodit.

Për realizimin e dokumentarit, një bashkëpunim me Sea Change Project, Off The Fence dhe ZDF Enterprises, u deshën dhjetë vjet. Ai u xhirua në vitin 2010 dhe tregon pikërisht lidhjen unike të Craig me krijesën, histori e cila ka marrë tetë nominime për Jackson Wild Media dhe fitoi “Best Feature” në EarthxFilm Festival.

“Nëse fitoni besimin e një krijese për muaj me radhë, në të vërtetë do t’ju injorojë për disa kohë dhe më pas do t’ju lejojë të futeni në botën e saj,” tha Craig për CNN.

“Oktapodi më tregoi shumë sjellje që janë krejt të reja për shkencën, sepse kjo specie më besoi.”

Momenti kulminant i dokumentarit është ai kur oktapodi e lejoi Craig ta ndiqte në gjueti.

Craig i ka kaluar dhjetë vitet e fundit duke u zhytur mes leshterikëve në Oqeanin Atlantik në brigjet e Afrikës së Jugut, ku temperaturat e ujit shkojnë deri në 8 gradë Celsius.

I njohur si “Kepi i Stuhive” ose “Kepi i shpresës së mirë”, ai e përshkruan këtë vend si “bregu më i pabesë në botë”. Ndërkohë që disa notarë kanë frikë nga peshkaqenët ose grabitqarët e tjerë, Foster thotë se frika më e madhe e tij është që të përplaset në një shkëmb nga një dallgë e fuqishme.

Zhytja në ujë i ka qetësuar mendjen dhe ai thotë se me kalimin e viteve, speciet e ndryshme kanë arritur të kenë kontakt me të, duke përfshirë vidrat, balenat, sepjet, madje edhe peshkaqenët.

“Krijesat kanë zgjedhur të vijnë tek unë dhe të kenë kontakt, duke treguar një moment besimi. Të gjitha herët janë emocionuese dhe të lënë pa frymë.”

Megjithatë, asgjë nuk krahasohet me lidhjet e jashtëzakonshme me oktapodin. Craig thotë se njerëzit janë pjesë e natyrës dhe botës përreth tyre, jo thjesht vizitorë.

Burimet: IMDb, Netflix, CNN