Site icon Telegrafi

Historia e dhimbshme e një dinastie intelektualësh

Zylyftar Hoxha

Nëse shkon sot në Sheper, ku lindi dhe vdiq mësuesi dhe studiuesi i njohur, Ilia Dilo, të cilit Sheperi i dha emrin e vetë, Ilia Dilo Sheperi, nuk gjen asnjë relikte, asnjë gjurmë. Si shenjë e vetme kujtimi, në oborr të kishës së Sheperit ka mbetur qeparisi i mbjellë 73 vjet më parë, më 14 tetor 1945, kur atij iu hodh aty dheu. Më pas varri u hoq prej këtej dhe eshtrat u vendosën mes varrezave të fshatit.

“Vendosjani mes popullit për të cilin punoi”, ishte porosia sa ironike aq edhe e hidhur e udhëheqjes së lartë të partisë së asaj kohe!

Megjithëse kishte një kontribut të çmuar në arsimin dhe shkencën gjuhësore shqiptare, emri i tij u hoq nga historia e popullit shqiptar, nga historia e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, nga referatet dhe leksionet e mediumeve shkencore, deri te Kongresi i Drejtëshkrimit, ku ai kishte pjesën e tij shkencore, sado modeste të ishte kjo pjesë. U retushuan fotot e tij me patriotët dhe studiuesit më në zë të kohës. Po kështu emri i tij nuk u përfshi si zë më vete në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985.

Një farë vlerësimi për të erdhi vonë, pas viteve ’90, pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri: atij iu dha titulli Mësues i Popullit dhe më pas titulli tjetër i lartë, Nderi i Kombit Shqiptar; një rrugë në Tiranë mban emrin “Ilia Dilo Sheperi”; emri i tij përmendet në botimet e reja shkencore, ndërsa në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar në mënyrë të përmbledhur zëri me emrin e tij ka këtë përmbajtje:

Ilia Dilo Sheperi (1872 – 1945). Veprimtar i arsimit kombëtar, gjuhëtar, Mësues i Popullit. Ka kryer gjimnazin “Zosimea” të Janinës, punoi 15 vjet në Bënjë të Përmetit. Mori pjesë në lëvizjen atdhetare dhe për përhapjen e librave në gjuhën shqipe. Për veprimtarinë e tij në këto fusha u përndoq, u dëbua nga atdheu dhe u dënua me vdekje nga qarqe politike antishqiptare (1914). Në vitet e Luftës së Parë Botërore mori pjesë në veprimtari për mbrojtjen e tërësisë së vendit. Në vitet 1918-1919 ktheu në gjuhën shqipe shkollat e fshatrave të Zagorisë. Ishte ndër themeluesit e shoqërisë “Vllazëria të Gjirokastrës” (1919). Mori pjesë në kongresin arsimor të Lushnjës më 1920 dhe në atë të tiranës më 1922. Dha ndihmesë për zgjerimin e rrjetit të shkollave dhe për përgatitjen e programeve mësimore. Punoi si mësues i gjuhës shqipe në Vlorë, në Liceun e Gjirokastrës dhe në Shkollën Normale të Vajzave në Korçë. Në fushën e Gjuhësisë botoi veprën “Gramatika dhe sintaksa e gjuhës shqipe, sidomos e toskërishtes për shkollat e mesme” (Vlorë 1927), një nga gramatikat më të mira të kohës, me mjaft ndihmesa vetjake, e cila paraqet gjendjen e gjuhës shqipe të atyre viteve. Në parathënien e saj shpreh disa pikëpamje dhe mendime me vlerë për probleme të ndryshme të gramatikës e të gjuhës letrare. Vepra është ribotuar në Romë (1972) dhe në Tiranë (2011).

Megjithatë, politika shqiptare, që “fut hundët kudo” dhe “përvetëson” çdo gjë, bota akademike shqiptare, ashtu siç është dhe siç ka ngelur, i ka shumë borxhe këtij njeriu. Se çfarë, nuk e di unë që jam thjesht një qytetar i këtij vendi, por, të paktën t’i gjejnë eshtrat dhe t’ia vendosin atje ku i takojnë, të organizojnë veprimtari të ndryshme shkencore, për t’i vënë në vend emrin, nderin dhe dinjitetin ashtu siç ishte, pa i zmadhuar asgjë; t’i ngrehin një memorial, në mos gjetkë, të paktën në vendlindjen e tij, në Sheper; ta fusin atë në memoaret e kombit ku është hequr në mënyrë të padrejtë dhe të dhunshme.

Më lartë paraqitëm diçka skematike nga jeta e mësuesit dhe shkencëtarit të njohur, por jeta e tij e vërtetë është një lumë i rrëmbyeshëm, sepse edhe koha ishte e tillë që kërkonte heronj. Kush sadopak e njeh historinë, do ta kuptojë se sa e rrezikshme ishte më 1900 të flisje shqip e jo më të hapje në shtëpinë tënde një shkollë shqip. Dhomëza e vogël vërtet, por kishte madhështinë dhe rëndësinë e një monumenti. Fëmijët aty, të madhuar para kohe prej varfërisë e vuajtjeve nën pushtimin e egër turk, hynin të heshtur në shtëpinë ku ishte dhomëza e ndritur dhe mësonin shkrim e këndim. Mësonin shqip.

Kur e dënuan me vdekje Ilia Dilo Sheperin, për letrën Patrikanës dhe fjalimin e mbajtur përpara popullit për krimin e Hormovës, fjalët e tij ishin: “Edhe kur të më vini thikën në fyt, do të shihni se gurgullimi i gjakut tim do të shqiptojë A, B, C”!…

Protesta e popullit bëri që gjyqi të ndërronte vendim dhe dënimi me vdekje u shndërrua në “Ezilim”. Kjo për të hedhur hi në sytë e popullit, sepse kishin vendosur ta mbytnin me barkën që do t’i çonte në anije. Barka navagisi dhe shoku i tij u mbyt, kurse Ilia që shpëtoi duke kryer dënimin e tij jashtë shtetit, në Itali. Më pas, ai u kthye në atdhe, në Sheperin e tij, me mendje si ta pasuronte dhe ta bënte sa më të bukur e të pavarur atdheun e tij.

Shtëpia, veçanërisht biblioteka e tij e përmasave të mëdha, u kthye në seli pune patriotike për gjithë Jugun, ku rriheshin problemet e kohës dhe mundoheshin të gjenin zgjidhje e rrugë shpëtimi për Shqipëri e shqiptarë. Shkallët e shtëpisë buçitnin nga hapat e rëndë të Çerçiz Topullit, Aristidh Ruçit, Petro Harritos, Andon Zako Çajupit, Kostikës e shumë të tjerëve… Vatër e ngrohtë patriotizmi, njerëz që mendonin jo si të pasuroheshin e të majmeshin për vete, por si të pasuronin dhe të zbukuronin Shqipërinë.

Si një shkencëtar klasi, Ilia Dilo kishte korrespodencë të rregullt. Profesor Doktor Norbert Jokli, me të cilin ishin të një mendjeje dhe jepnin të njëjtat argumente shkencore se shqipja ishte edhe më e vjetër edhe më e pasur se të tri gjuhët e përparshme, dhe nuk ishte vetëm pasuria dhe lashtësia e saj, por ishte bujaria e kësaj gjuhe për të dhënë hua shumë rrënjë fjalësh të cilat gjenden në gjuhët e tjera, por me origjinë nga shqipja.

Jokli e adhuronte dhe e respektonte punën e Ilia Dilos. Duke u shprehur konsiderata kolegëve të tij shqiptarë, më shumë se një herë, ai kishte thënë për të se “mes maleve të ashpra të Zagorisë ndodhej një oqean diturie”.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur ai edhe pse doli në pension, nuk e ndërpreu punën shkencore. Ai rrinte gjithë kohën në bibliotekën e stërmadhe të tij, që zinte një kat të tërë të shtëpisë dykatëshe. Kur shtëpia u dogj nga gjermanët në qershor të ’44-ës, Ilia, duke njohur kulturën gjermane, kurrë nuk mund të besonte se ata do të digjnin bibliotekën e tij ku ndodheshin 13 volume dorëshkrimi tek të cilat kishte derdhur gjithsa kishte arritur me studimet e tij gjatë gjithë jetës përsa i përket gjuhës shqipe dhe lashtësisë së saj. Por, ai nuk mendoi tradhtinë. Shtëpia u dogj e para, sepse gjermanët kishin kallauzë shqiptarë të cilët drejtuan aty zjarrin dhe mllefin që kishin vetë apo që ua kishin këshilluar të tjerët.

Kur Male Dilo, djali i Ilias, i cili e kuptoi nga vendi ku ishin se shtëpinë e kishin përpirë flakët, e pyeti të atin se kush do ta dëshpëronte më shumë, djegia e shtëpisë apo vrasja e dy djemve të tij. Ilia u përgjigj:- Ç’më thua, more bir! Djemtë do të ishin dhimbje e madhe e imja, për bibliotekën do ndjente e do të dënohej gjithë Shqipëria!…

Ky ishte Ilia Dilo Sheperi. Si një lis i lashtë me rrënjë të thella, aty, në Sheper, prej trungut të fortë u hapën degët që ishin vazhdim besnik dhe i pagabueshëm i trungut të shëndoshë. Të dhjetë pasardhësit e tij, shtatë djem dhe tri vajza, gjatë gjithë jetës së tyre e justifikuan veten si bij të tij.

Djali i madh Themua i vuri shpatullat shtëpisë së madhe dhe ndihmoi derisa fëmijët e tjerë filluan të përkëmbeshin.

Në ndihmë të tij, dy vjet më i vogël, i 1902-it, Qirjakua, edhe ai punëtor, i urtë e i sjellshëm, por edhe një studiues i shkëlqyeshëm. Në moshën 15-vjeçare hapi me iniciativën e tij dhe ndihmën e të atit shkollën e parë shqipe në Nivan. Më pas u bë drejtor i shkollës së Poliçanit ku jepte dhe mësimin e shqipes. Por, interesat e tij intelektuale ishin më të gjëra, punoi si gazetar dhe më vonë si ekonomist.

I treti fëmijë i Ilias ishte Mihal Dilo; studioi për veterinari dhe punoi me shumë dashuri e pasion edhe në fushën e agrokulturës. Kokojka, kodra e bukur në këmbë të Biseit u kthye në një pemëtore të mrekullueshme me pemë të të gjitha llojeve. Fidanët e pemëve i merrte nga Italia. Para se të vdiste, i vetëm me gruan e tij pranë, i tha asaj: Hape radion! Një këngë labe rrodhi nga radioja nëpër mendje dhe shpirt të tij. Me mundim zgjati dorën nga rafti pranë. Ishin dorëshkrime me studimet që kishte bërë gjatë punës së tij të mrekullueshme.

Etieni, djali i Males i dha dorëshkrimet në vitin 1996 me qëllimin e mirë që të ishin të vlefshme për universitetin. Por, ato u zhdukën dhe nuk gjenden asgjëkund. Së bashku me to ishte dhe një pjesë e kujtimeve të mikut të tij të ngushtë, Bilal Golemi. Edhe ato u zhdukën!

Margariti vazhdoi studimet e larta në Athinë për matematikë. U arrestua dhe u burgos nga diktatura e proletariatit pa as më të voglën arsye, si dhe shumë intelektualë të asaj kohe. Dënimin e vuajti në Maliq. Më pas u martua dhe bëri fëmijë të mrekullueshëm të cilët me sjelljen dhe punën e tyre mbajnë lart emrin e familjes.

Një pinjoll tjetër i Dilove ishte Dr. Jani Dilo, serioz dhe i mençur. Pas studimeve në Romë, vjen në Shqipëri, angazhohet në luftë kundër italianëve dhe më vonë gjermanëve, por nuk u pajtua dot me ndarjet politike dhe teatrin e luftimeve që po zhvilloheshin aty. Ai mbaroi për avokat në Itali shkëlqyeshëm dhe në vitin 1950 shkon në Shtetet e Bashkuara duke bërë një karrierë të shkëlqyer profesionale, në fillim si shkrimtar dhe gazetar në “Zërin e Amerikës” dhe më pas detyra të rëndësishme që mori përsipër. Nëse akademikët shqiptarë do të ishin pak më të vëmendshëm, do t’i kishin lënë atij vendin e merituar në Enciklopedinë Shqiptare. Megjithatë, për korrigjime të tilla esenciale historike, nuk është kurrë vonë.

Oresti Dilo, doktori i shkencave mjekësore, në një vend nga më të qytetëruar të botës, në Nju Jork. Pati dëshirë të madhe të shërbente në vendin e tij, por ishte e pamundur. I malluar dhe dëshpëruar dërgonte kursimet e tij për njerëzit në Shqipëri. Erdhi në Shqipëri më 1990 dhe mbas takimeve që bëri i përmallur, mori vesh për qëndrimin dhe trajtimin e padenjë të figurës së të atit. Ashtu i çmeritur iku të nesërmen e ditës, për të hyrë në një spital tepër i tronditur ku edhe vdiq.

Viktoria, krenaria e Ilia Dilo Sheperit. Adhuroi punën e të atit, e çmoi atë dhe ushtroi profesionin e mësueses me një zell e dashuri të pamatë.. Të gjitha ngjarjet që ndodhën e bënë të pësojë tronditje të pashembullta dhe ashtu e heshtur dhe në pikëllim u shua në moshën 59-vjeçare. U dekorua Mësuese e Merituar në pluralizëm pas vdekjes

Koço Dilo. Si gjithë Dilot, i mirë, i zgjedhur. Në moshën 50-vjeçare arrestohet dhe dënohet më 10 vjet burg gjoja për tentativë arratisje! Dëshmitari i vetëm që duhej të dëshmonte për padinë që i kishin bërë Koços, dridhej si purteka. Koçua aty në sallë, ballë për ballë i tha gjykatësit: Zoti gjykatës, qetësoheni dëshmitarin që po gjen vend ku të futet. I thoni atij se gjykohem unë dhe jo ai. 10 vjet i bëri kokërr për kokërr në burgun e tmerrshëm të Spaçit, ku i shkonin shpesh Krisua, Viktoria, Viktori (Xhamballo) Dilo, Ifi, Ylli, Bardhi, Edi etj. Doli nga burgu dhe pas tre vjetësh vdiq në paqe, në spitalin të Tiranës

Vajza tjetër e Ilias ishte Thevronia. Ajo ishte një grua nikoqire dhe e urtë. Bëri fëmijë të mirë dhe vuajti edhe ajo si të gjithë Dilot.

E gjithë kjo histori vuajtjesh dhe mundimesh, fatkeqësisht, mbyllet po me një kornizë të errët: Kaliopi Dilo, gruaja e Male Dilos, kolonë e pathyeshme e shtëpisë së Dilove, në vitin 1991, në moshë të kaluar, vritet në mënyrën më makabre dhe njëkohësisht më banalen që mund të njihet, brenda në shtëpi nga grabitësit, të cilët kujtonin se do të gjenin aty “flori të Dilenjve kurbetlinj”!..

Exit mobile version