Site icon Telegrafi

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Nga: Ivan Hewett / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse ndonjë këngë meriton të quhet “ikonike”, ajo është kënga Non, Je ne Regrette Rien [Jo, nuk pendohem për asgjë] – kompozuar nga Charles Dumont [1929-2024], i cili ndërroi jetë [më 18 nëntor] në moshën 95-vjeçare. Por, ikonike për çfarë, saktësisht? Një përgjigje e thjeshtë do të ishte: këngëtarja që atë këngë e bëri të famshme, Édith Piaf [1915-1963]. Ajo vetë ishte një ikonë e asaj forme unike, të çmuar dhe tashmë të zhdukur të këngës popullore franceze të njohur si shanson [chanson].

Kur Dumonti dhe tekstshkruesi i tij, Michel Vaucaire, vizituan këngëtaren e famshme në tetor të vitit 1960, kjo ishte përpjekja e tyre e tretë për ta bindur atë që të këndonte një nga këngët e tyre. Nuk është për t’u habitur që Piafi i kishte injoruar më parë të dy autorët e panjohur. Ylli 45-vjeçar ishte në kulmin e karrierës së saj dhe, pa dyshim, ishte e mbingarkuar nga autorë të shumtë të njohur dhe shpresëdhënës. Sapo kishte shitur të gjitha biletat për dy koncerte në Karnegi [Carnegie Hall] dhe kishte përfunduar një turne triumfal ndërkombëtar. Por, shëndeti i saj po përkeqësohej dhe ajo kishte humbur ndjenjat dy herë në skenë nga pankreatiti dhe verdhëza. Media, pesimiste për shanset e saj për mbijetesë, e kishte quajtur atë turne “turneu i vetëvrasjes”.

Në atë ditë të vitit 1960, Piafi ishte me disponim të keq dhe pothuajse i përzuri Dumontin dhe Vaucairein. Por, u zbut dhe, pasi e dëgjoi këngën pesë ose gjashtë herë, u mahnit. “Ajo tha se ishte madhështore, e mrekullueshme. Se ishte krijuar për të. Se ishte vetë ajo. Se do të ishte ringjallja e saj”, kujtoi Dumont.

Piaf padyshim kishte shumë gjëra për t’u penduar ose për të mos u penduar. Binte nga njëri dashnor te tjetri pa menduar gjatë, ishte e varur nga alkooli dhe morfina dhe kishte mbijetuar pesë aksidente automobilistike, të cilat ishin simbol i mënyrës se si jetonte ajo.

Por, ajo adhurohej për atë cilësi shumë të veçantë franceze që ndërthurte të mirat dhe të këqijat e botës së artit. Surrealistët e admiruan atë, ndërsa ajo u adhurua nga letrarët e shquar që kishin shije për artin popullor. Më i madhi prej tyre, Jean Cocteau, në fakt ndërroi jetë një ditë pas Piafit – në tetor të vitit 1963; disa thonë nga zemra e thyer. Vetë Piafi mohoi çdo ndjenjë të thellë në dashuri. “Jam një person i thjeshtë që pëlqen lulet dhe historitë e dashurisë”, deklaroi ajo një herë, por thellësia e këngëve të saj sugjeron se kjo deklaratë përbën një naivitet të shtirur [faux-naiveté], më shumë sesa një pafajësi të vërtetë.

Është e vërtetë që, në letër, kjo këngë në vetvete është e thjeshtë. Harmonia e saj nuk përshtatet me një arie të një opere nga Rossini, jo deri në kadencën përfundimtare, kur, vetëm për një moment, mbi muzikë bie shkëlqim i stilit brodueijan që shpërthen përmes instrumenteve me harqe. Thjeshtësia e muzikës lë gjithë vëmendjen te Piafi – që është pikërisht aty ku duhet të jetë.

Koha e publikimit të këngës, duke ardhur në një moment trazirash të mëdha në politikën dhe shoqërinë franceze, sigurisht që i dha asaj një efekt të veçantë. Politika franceze ishte thellësisht e polarizuar mes të majtës dhe të djathtës dhe vendi ishte zhytur në një luftë të përgjakshme me koloninë e tij, Algjerinë. Në tetor të vitit 1961, policia parisiene vrau deri në 300 protestues algjerianë. Tre vjet më parë, më 1958, gjenerali De Gaulle ishte detyruar të kthehej nga pensionimi për të “shpëtuar vendin”. Edhe ai mund të kishte deklaruar – duke analizuar një jetë të tërë përkushtuar ndaj lavdisë së Francës – se nuk kishte asgjë për të cilën do të pendohej.

Kënga ishte një sukses i menjëhershëm dhe nisi karrierën e Dumontit i cili krijoi më pas 30 këngë për Piafin dhe për yje të tjerë të shansoneve franceze, përfshirë Charles Aznavourin. Tre vjet më pas, Piaf ndërroi jetë nga sëmundjet e shumta të saj, duke i dhënë këngës një kuptim të ri – dhe jo vetëm për francezët të cilët e kishin të vështirë të besonin se ajo kishte vdekur (“ajo nuk ka vdekur, thjesht është larguar”, shkroi një gazetar i pikëlluar). Ndryshe nga këngët e saj të mëparshme, të rrënjosura në realizmin e ashpër francez, kjo këngë, bashkë me disa të tjera si La Vie en Rose, arriti shpejt të ketë përhapje globale.

Që pas vdekjes së Piafit, kënga është interpretuar shumë herë, në shumë gjuhë, nga artistë si Shirley Bassey, Elaine Paige, këngëtarja italiane Dalida dhe të tjerë. Kënga mori një nderim të dyshimtë kur u citua nga Norman Lamont në vitin 1992, atëherë kur Britania doli nga Mekanizmi i Këmbimit Evropian, ndërsa është përdorur në kolonat zanore të shumë filmave, përfshirë Intolerable Cruelty nga Vëllezërit Coen dhe Inception nga Christopher Nolan, ku kënga luan një rol kyç. (Shërben si një “goditje” që i zgjon personazhet nga gjendjet e tyre ëndërrimtare, ndërsa kompozitori i filmit, Hans Zimmer, përfshiu referenca të shumta të këngës në partiturën e tij.)

Është e sigurt që shumë adhurues të këngës, në mos shumica e tyre, nuk i kuptojnë fjalët – por, ata patjetër që e kuptojnë mesazhin e këngës. Interpretimi ekstazik dhe dëshpërues i Piafit flet për këdo që rrezikonte – ose do të dëshironte të rrezikonte. /Telegrafi/

 

***

JO, NUK PENDOHEM PËR ASGJË

Teksti: Michel Vaucaire
Përktheu: Çlirim Lazaj

Jo, ama për asgjë
Jo, nuk pendohem për asgjë
As për t’mirën që m’është bërë
As për t’keqën
Krejt njëjtë!

Jo, ama për asgjë
Jo, nuk pendohem për asgjë
Është paguar, fshirë, harruar
S’më bëhet vonë për t’kaluarën!

Me kujtimet e mia
Ndeza zjarrin
Dhembjet e mia, kënaqësitë e mia
Nuk m’duhen më!

Fshiva dashuritë
Dhe t’gjitha pëshpëritjet e tyre
T’fshira përgjithmonë
E filloj nga e para

Jo, ama për asgjë
Jo, nuk pendohem për asgjë
As për t’mirën që m’është bërë
As për t’keqën
Krejt njëjtë

Jo, ama për asgjë
Jo, nuk pendohem për asgjë
Se jeta ime, se gëzimet e mia
Sot fillon me ty

Exit mobile version