Flisnin gjuhë të ndryshme, njeri shqip e tjetri hungarisht, por kjo nuk u bë pengesë që të dashuroheshin dhe të lidheshin në martese.
Gjatë 3 viteve të para të njohjes ndërmjet Manjolës nga Shqipëria dhe Gaburit nga Hungaria komunikimi bëhej në gjuhën angleze derisa i riu nga Hungaria vendosi të ndërtonte jetën e tij në Shqipëri së bashku me Manjolën dhe kështu nisi të mësonte edhe gjuhën shqipe.
“Unë isha pjesë e federatës këtu në Shqipëri ndërsa im shoq ishte pjesë e federatës në Hungari dhe ishte presidenti i federatës evropiane ai që na bashkoi”, tha Manjola.
“Kur jeton në një vend është mirë të mësosh gjuhën, traditën dhe nuk më është dukur shumë e vështirë. Më ndihmoi shumë e folura me njerëzit, duke kapur ndonjë fjalë dhe më pas, pak nga pak mësova si një fëmijë”, u shpreh Gaburi.
Nga martesa e tyre 15 vjeçare e çiftit Vasmatics kanë lindur tre fëmijë Eriku, Amadea dhe Aiden, të cilët flasin mirë të 2 gjuhët. Gabur tashmë punon në Shqipëri si inxhinier informatike në një kompani programimi dhe që në fillimet e tij është përshtatur shumë mirë.
Edhe Aideni i vogël ka nisur të mësoj dhe të kuptoj hungarisht në mënyrë që ta ketë më të lehtë komunikimin gjatë vizitave që do të bej tek gjyshërit e tij në Hungari./RTSH