Rezarta Delisula
Çdo gjë nisi pasi shqiptardashësi Herbert ndërroi jetë nga helmimi i gjakut shkaktuar nga shkulja e një dhëmballe dhe çarja e një ulcere duodenale. Në librin “Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme” i autorëve Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, shkruhet se në kujtim të tij, e veja dhe nëna krijuan Fondin Shqiptar të Ndihmës, për të mbështetur skema të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të shtetit të ri shqiptar. Fondi pagoi për ndërtimin dhe pajisjen e spitalit të Vlorës dhe ndërmori bonifikimin e moçalishteve, në mënyrë që të ulej numri i te prekurve me malarie, projekt i vazhduar nga fondacioni Rockfeller.
Në maj të vitit 1925, një fshatit të ri të ngritur në veri të Kavajës për të strehuar refugjatë kosovarë, iu vu emri zyrtarisht Herbert (sot Qerret), në shenjë mirënjohjeje ndaj tij pasi shkolla e fshati u ndërtuan nga Fondi Shqiptar i Ndihmës. “Në Shqipëri nuk mund të gjeni një emër me prestigj më të madh se Herbert”, tha në ato kohë Edith Durham. Biblioteka Carnavon u ndërtua në rrugën e “Shëngjergjit” tek ish-Kinema “Ali Demi” shumë pranë xhamisë së Tabakëve me një kosto të paguar nga Instituti Herbert prej 44.000 franga ari (“Tirana” Osman Myderizi). Ajo u inaugurua në 12 maj 1929 rreth një vit më vonë, ndërsa iu dorëzuar Sait Toptanit, President i Komitetit të Djelmërisë së Tiranës nga vëllai i Auberey-it, Mervin Herbert.
Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi me dritare të mëdha ku drita përthyhej fiks mbi tryeza, raftet me fondin prej tremijë volumesh në gjuhë të huaja përfshi dhe shqip dhe, një oxhak ku ishte gdhendur portreti i Aubrey Herbert. Ministri i Arsimit së asaj kohe, Abdurrahman Dibra, tha gjatë prerjes së shiritit: Kontesha Carnavon na jep edhe këtë ushqim moral siç është biblioteka.
Shpejt ky vend u kthye në “modën” e kryeqytetit ku të rinj e të reja mblidheshin për të lexuar e komentuar ngjarje e situata. Në vitin 1934 pranë saj u ndërtua dhe një fushë tenisi. Por, shkëlqimi nuk zgjati shumë. Me pushtimin e Shqipërisë më1939, prona nga e Institutit Herbert iu kalua prefekturës e shumë shpejt u kthye në kazermë ushtrie. Ajo u shkatërrua plotësisht dhe sot nuk ka asnjë pllakat që kujton bamirësinë e anglezit filoshqiptar.
Mbreti Zog për kontributin e jashtëzakonshëm që pati familja Herbert në Shqipëri dekoroi me titullin: Oficerin e Math t’Urdhnit Skenderbeg, Elisabeth, Kontesha e Carnavonit dhe Aubrey Herbert. Po me të njëjtin titull u vlerësua dhe Edith Durham e Ruth V. Pennington. Ndihma e familjes Herbert vijoi edhe pas vdekjes së konteshës Carnavon e cila u shua në 2 shkurt 1929, pak muaj para inaugurimit të bibliotekës. Në vitin 1943 referuar sërish librit “Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, Mary Herbert ndihmoi për ngritjen e Shoqatës Anglo-Shqiptare. Auberon Herbert djali i vetëm i Aubreyt, ndihmoi shqiptarët në mërgim pas Luftës së Dytë Botërore.
Kush ishte Aubrey Herbert?
Aubrey lindi më 1880 dhe ishte djali i dytë i Henri Herbert, konti i katërt i Carnavonit dhe gjysmë-vëllai i George Herbertkonti i pestë i Carnavonit, i cili u bë i famshëm në zbulimin e varrit të Tutankhamunit, faraonit egjiptian. Aubrey punoi dy vjet si diplomat, katër vjet si oficer i Gardës Irlandeze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe për 12 vjet anëtar konservator i Parlamentit për Somersetin e Jugut dhe Yeovilin. I shkolluar në Eton dhe Oksford, Aubrey Herbert u gjend në radhët e miqve me shumë pushtet si të: Colonel Thomas Edward Lawrence, djalit të kryeministrit britanik, Raymond Asquith, shkrimtares e historianes Hilarie Belloc dhe historianit e politikanit skocezJohn Buchan.
Ai dhe bashkëshortja patën katër fëmijë prej të cilëve një djalë. Ai ishte mbrojtës i kauzës së shqiptarëve dhe i vetmi politikan britanik që foli për çështjet e shqiptarëve në bazë të njohjes dhe përvojës vetjake. Ai loboi shumë për shtetin e shqiptarëve dhe që kufijtë të vendoseshin mbi baza etnike jo besimi fetar.
Në janar 1913 ai zgjodhi njerëz me influencë për mbrojtjen e kauzës shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Ai u largua nga Komiteti Ballkanik ku bënte pjesë duke thënë me të madhe: Ika sepse aty ka shumë plaka të këqija, të cilat nuk munden as të protestojnë me ndonjë dobi për masakrat, madje ndjejnë vërtet kënaqësi rrëqethëse nëpër mendjen e tyre ndërsa doli haptas në mbrojtje të shqiptarëve.
Në vitin 2002, presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i dha Aubrey Herbert Urdhrin Naim Frashëri pas vdekjes me motivacion: Për ndihmën e paçmuar në përkrahje të kauzës shqiptare, në veçanti Konferencës së Paqes dhe ndihmën për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. /Konica/