Site icon Telegrafi

Hisen Berisha thotë se LDK nuk e ka pranuar të jetë pjesë e saj

Ish-komandanti i Batalionit I të Brigadës “Agim Ramadani”, Hisen Berisha, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka pranuar të bëhet pjesë e saj.

Berisha në “Debat Plus”, të RTV Dukagjinit ka thënë se refuzimi nga LDK i është bërë tash si dhe në vitin 2014, transmeton Telegrafi.

“Nuk më kanë pranuar, dhe jo vetëm në këtë mandat, por edhe në vitin 2014. Për shkak të gjuhës, jam ma rugovistë se ata”, ka thënë ai.

Berisha ka treguar se ka dashtë të jetë pjesë e LDK-së, vetëm që të nis një mocion për shkarkimin e Isa Mustafës.

“Kam dashtë të iniciojë procedurën për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, sepse vetëm humbje i ka sjellë LDK-së, kjo ka qenë tendenca imë”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se po të ishte pjesë e LDK-së, do të fitonte mijëra vota në zgjedhje parlamentare.

Berisha i cili tashmë është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në politikë nuk ka hyrë për interesa të tij, por për ta pajtuar spektrin politik.

Gjithashtu ai ka deklaruar se pranon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, dhe se PDK do të bëjë politikë edhe nga opozita./Telegrafi/

Exit mobile version