Deputeti i PDK-së Hisen Berisha i ka bërë thirrje Shqipërisë që në vigjilje të samitit Ballkani i Hapur në Tiranë, ta dënojë sjelljen e Serbisë për shkak të mohimit të masakrës në Reçak, në të cilën forcat serbe vranë civilë të pafajshëm shqiptarë.
Berisha ka thënë se angazhimi shtetëror nga ana e Serbia për realizimin e një dokumentari mbi tragjedinë e Reçakut, ku ata pohojnë që kjo masakër qenka kinse falsifikim i historisë, tregon që revizionizmi i historisë nga shteti serb, krahas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, po merr përmasa të rrezikshme për paqen dhe pajtimin në rajon.
“Si ish-epror i UÇK-së dhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, në vigjilje të samitit të radhës të “Open Balkan” në Tiranë, e ftoj shtetin shqiptar që të dënojë këto sjellje të rrezikshme revizioniste. Revizionizmi i historisë e pengon pajtimin, e pengon dialogun, e pengon bashkëpunimin rajonal si dhe i hap rrugë një konflikti të ri”, ka thënë Berisha.
22 vjet më parë forcat policore dhe ushtarake serbe kryen masakrën më të madhe në Kosovë që njihet si masakra në Reçak. Pamjet e kësaj masakre u përhapen në të gjithë botën dhe sensibilizuan ndërkombëtarët për të ndërhyrë në luftën mes Serbisë dhe Kosovës.
Ishte shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, ai që pa nga afër këtë masakër dhe alarmoi se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit.
Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur, mes tyre gra e fëmijë. Banorët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar shumë banorë e më pas i vranë ata.