Telegrafi

​Hiqen rrethojat edhe te Ministria e Punëve të Brendshme, Sveçla: Nuk na duhen barrierat, Kosova nuk është regjim diktatorial

Një javë pas largimit të rrethojave në oborrin e Qeverisë së Kosovës, sot ka nisur heqja e tyre edhe nga ambientet e oborrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo po bëhet nën mbikëqyrje të ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Sipas njoftimit të Ministrisë së  Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) me largimin e rrethojave nga objektet qeveritare po krijohen hapësira publike, njëkohësisht duke e ofruar edhe më shumë qeverinë me qytetarët, duke marrë si shembull praktikat më të mira në demokracitë perëndimore, por edhe në rajon.

“Ne vlerësojmë se në një demokraci nuk ka arsye për të vendosur gardhe mes institucioneve dhe qytetarëve, sidomos në një vend si Kosova, ku qytetarët e duan shtetin e tyre dhe janë të interesuar për zbatimin e ligjit. Barrierat janë të panevojshme, sepse Kosova nuk është regjim diktatorial ku qeveria është kundër popullit dhe Policia e Kosovës është një institucion me besueshmëri të lartë publike dhe me profesionalizëm të mjaftueshëm për të garantuar sigurinë dhe rendin e nevojshëm në vend, mision për të cilin ndihmohet dhe nga prania e institucioneve ndërkombëtare dhe KFOR-i”, theksoi Sveçla.

Sveçla ka vlerësuar se ka kaluar koha kur objektet qeveritare dhe qeveria kanë pasur mure ndarëse ndërmjet veti sepse dihet mirëfilli se qeveritë në shtetet demokratike gjithmonë krijohen për të shërbyer dhe bazohen te transparenca e hapja për qytetarët.

Ai theksoi se edhe në ditët e ardhshme do të vazhdojë largimi i rrethojave të objekteve qeveritare, për t’ua kthyer qytetarëve hapësirat publike, trotuaret, parqet e lulishtet. /Telegrafi/