Telegrafi

Hipotireoza dhe shtatzënia

Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Sëmundjet e gjëndrës tiroide janë më të shpeshta në disa familje të caktuara. Është shumë me rëndësi që të bëhet zbulimi me kohë i tyre dhe trajtimi korrekt (sidomos tek gratë përpara dhe gjatë shtatzënisë)

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722

Hormonet e gjëndrës tiroide janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e bebes gjatë shtatzënisë. Fryti sidomos gjatë gjysmës së parë të shtatzënisë, hormonet e tiroides i merr nga nëna. Për këtë arsye është shumë me rëndësi që një grua ta ketë funksionin normal të gjëndrës tiroide gjatë shtatzënisë.

Përveç kësaj, mosfunksionimi korrekt i gjëndrës shkakton probleme serioze tek një grua, përfshirë edhe vështirësitë që të mbetet shtatzënë.

Tek një grua që nuk është shtatzënë, funksioni normal i tiroides tregohet me vlerën e TSH midis 0.5 – 5 mIU/L. Ndonëse, definicioni i vlerave normale të TSH tek shtatzënat ka ndryshuar gjatë viteve rekomandohet që një grua që trajtohet me levotiroksinë duhet ta ketë TSH nën 2.5 mIU/L gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë dhe nën 3 mIU/L gjatë periudhës tjetër të shtatzënisë.

Mosfunksionimi i padiagnostikuar i tiroides mund ta bëjë të vështirë që një grua të mbetet shtatzënë. Mosfunksionimi i gjëndrës tiroide mund të shkaktojë probleme edhe gjatë vetë shtatzënisë. Sapo të normalizohet funksioni i gjëndrës tiroide, atëherë shmanget problemi dhe ajo mund të ketë një shtatzëni të mbarë dhe një fëmijë të shëndetshëm.

Problemet mund të shkaktohen nga funksioni i pamjaftueshëm i gjëndrës tiroide (hipotiroidizmi) si dhe mbifunksioni i saj (hipertiroidizmi).

Nëse një grua ka hipotiroidizëm të pamjekuar (ose të mjekuar jo siç duhet), atëherë e ka shumë të vështirë që të mbetet shtatzënë. Ajo mund të ketë gjakderdhje të shtuar menstruale që mund të shkaktojnë anemi.

Duhet theksuar se trajtimi korrekt i hipotireozës jep efekte spektakolare. Sapo të normalizohen vlerat e hormoneve të tiroidesë, gjakderdhja menstruale normalizohet dhe rriten gjasat për shtatzëni. Mjekimi bëhet me levotiroksinë.

Gjatë shtatzënisë doza e levotiroksinës duhet të rritet (sidomos në gjysmën e parë të shtatzënisë) në mënyrë që bebes t’i sigurohet sasi e mjaftueshme e hormoneve të tiroides.

Kur e merrni mjekimin, edhe nëse analizat laboratorike që tregojnë funksionin e tiroidesë nuk janë ideale, rreziku që të shfaqen komplikimet e shtatzënisë ndonëse është lehtësisht më i lartë, megjithatë gjasat për një shtatzëni të mbarë janë të mëdha.

Sido që të jetë, mjeku përmes levotiroksinës do ta kompensojë funksionin e gjëndrës tiroide. Për këtë arsye është shumë me rëndësi që të keni kontrolle të rregullta endokrinologjike.

Nëse gjatë shtatzënisë merrni suplemente hekur ose kalcium, këto duhet t’i merrni disa orë para ose pas marrjes së levotiroksinës, sepse këto ndikojnë në përthithjen e levotiroksinës.

Pas lindjes, doza e levotiroksinës mund të rikthehet siç ka qenë para shtatzënisë. Bebja mund ta ushqehet pa problem me qumësht gjiri. Doza e levotiroksinës mund të ndryshohet disa javë pas lindjes, pasi që paraprakisht të bëhet kontroll endokrinologjike.

Në 5-10% të grave ndodhë tiroiditi postpartal që është një inflamacion kalimtar i gjëndrës tiroide. Zakonisht shfaqet 6-12 muaj pas lindjes. Tiroidja është më e rritur, por nuk shoqërohet me dhimbje. Zakonisht fillon me shenja të mbifunksionit të tiroidesë (hipertiroidizëm) i cili mund të tërhiqet vetvetiu ose mund të kalojë në nënfunksion të gjëndrës tiroide (hipotiroidizëm).

Nëse shfaqet hipotiroidizmi, atëherë ajo grua ndjehet e lodhur, e plogësht, depresive, lëkura është e ftohtë dhe e thatë. Mjekimi bëhet me levotiroksinë. Shumica e grave nuk do të kenë nevojë për mjekim pas një periudhe njëvjeçare, ndonëse 1/3 prej tyre ka mundësi që do të duhet të mjekohen për një peiudhë shumë më të gjatë, sepse zhvillohet hipotiroidizmi permanent.

Nëse një grua ka pasur tiroidit postpartal i cili është tërhequr, rekomandohet që ajo të bëjë kontrolle të rregullta endokrinologjike, sidomos përpara se të mbetet shtatzënë sërish. Gjasat që të rishfaqet tiroiditi postpartal në shtatzënitë e ardhshme janë 50%. Gratë me diabet tip 1 janë shumë më të rrezikuara nga ky komplikim. /Telegrafi/