Për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL analistët kanë hedhur hipoteza të reja në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Analisti Astrit Gashi ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi për dështimin e anëtarësimit në INTERPOL, por përgjegjësi më shumë duhet te këtë për faktin se dikush na mashtroi se anëtarësimi ishte punë e kryer.
“Përgjegjësi duhet të japë dikush për bindjet e krijuara se gjithçka ishte e përfunduar e kur në fakt nuk ka qenë”, deklaroi Gashi.
Analisti ka thënë se megjithatë në INTERPOL miqtë tanë i kanë bërë dy beteja, që anëtarësimi i Kosovës ka kaluar në plan të dytë.
“Në momentin e fundit, me ndikimin e Rusisë njëri prej kandidatëve është tërhequr nga gara duke shtuar gjasat që rusi të fitoj garën për drejtor të INTERPOL-it. Nga ai moment ka pushuar çdo aktivitet për Kosovën sepse forcat janë përqendruar që rusi të mos bëhet drejtor i organizatës”, tha Gashi duke shtuar se “Kosova ka rënë nga vëmendja dhe dështimi ka qenë i garantuar”.
Sipas Gashit vendet si Kosova janë të varur nga aleatët, dhe duke qenë të varur nga aleatët ato janë pjesë e pazareve të vogla që i bëjnë aleatët.
“Pazari i fundit ka qenë me Kinën për të pamundësuar zgjedhjen e zyrtarit rus me Kinën”, tha Gashi.
Analisti Imer Mushkolaj nga ana tjetër thotë se pse dikush duhet t’i bëj Kosovës kuorumin kur ne nuk i bëjmë vetes 2/3 e kuorumit.
“Natyrisht se është shqetësuese se në Dubai janë bërë kombinatorika të ndryshme dhe Kosova mund të jetë vendosur në plan në dytë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Mushkolaj ka thënë se është tepër shqetësuese abstenimi i disa shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës në procesin e votimit në INTERPOL.
“Duhet të jetë alarm për politikën tonë abstenimi i shteteve si Japonia apo Korea. Duhet parë çfarë po ndodh me këto shtete, sepse nuk është aq e thjeshtë që për shkak të formës së votimit, hapur apo mbyllur, këto shtete të abstenojnë apo votojnë kundër”, shtoi Mushkolaj.
Analisti thotë se edhe lëvizjet e mëdha në dikasterin e Punëve të Brendshme mund të ketë ndikuar në procesin e anëtarësimit në INTERPOL.
“Këto lëvizje e kanë pasur peshën e vet. Për disa muaj në kemi pasur aq shumë lëvizje politike në udhëheqjen e policisë sa që vetëm kjo informatë nëse i shkon ndonjë shteti ai të mendoj se çfarë do të bëj me atë votë”, tha ndër të tjera analisti Imer Mushkolaj./Telegrafi/