Telegrafi

Hipotekë e kundërligjshme

Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, asnjë pasuri publike nuk guxon të jetë peng apo hipotekë e ndonjë marrëveshjeje biznesore private. Saktësisht, ndërmarrjet publike nuk guxojnë në asnjë mënyrë të hipotekohen. Konsorciumi Limak de Lyon para disa ditësh ka lënë hipotekë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës – Adem Jashari në emër të një kredie prej rreth 85 milionë eurosh në bankën Vakifbank të Turqisë.

Lajmin për lënien në hipotekë të ANP-së nga kompania Limak de Lyon e ka transmetuar agjencia turke e lajmeve Anadolu Ajansi.

“Si një garanci për kredi është shënuar në kontratë se është i tërë Aeroporti i Prishtinës”, tregon kjo agjenci. E ndalesa për lënien peng të ndërmarrjeve publike precizohet saktësisht me nenin 41 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.
“Aksionet ose interesat tjera pronësore, të cilat janë në posedim ose pronësi të cilitdo autoritet publik në një shoqëri tregtare ose ndërmarrje tjetër, nuk mund të lihen peng, të hipotekohen, të vendosen barrë ose të përdoren si siguri për pagimin ose përmbushjen e çfarëdo detyrimi financiar ose detyrimi tjetër”, thuhet në këtë ligj.
Në anën tjetër, edhe palët e procesit të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës e pranojnë se ky veprim është në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thonë se përveç ligjit, me këtë veprim është shkelur edhe marrëveshja, e cila është nënshkruar mes qeverisë dhe kompanisë turke në muajin gusht të vitit të kaluar. Ilir Rama , këshilltar për marrëdhënie me publikun dhe investitorë në MEF, thotë se asetet e ANP’së nuk duhet të lihen në hipotekë nga partneri privat.

Ai tregon se, sipas marrëveshjes për Partneritet Publiko Privat për ANP’në, asetet e aeroportit do të mbeten pronë e Kosovës. “Si të tilla nuk mund të lihen peng nga partneri privat. Për më tepër marrëveshja e PPP në mënyrë eksplicite e ndalon kryerjen e një veprimi të tillë”, tha Rama. Përderisa e pranojnë si të kundërligjshëm këtë veprim, zyrtarët e kësaj ministrie nuk janë në gjendje të tregojnë se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrin në këtë rast. Por, institucionet kosovare s`kanë reaguar ende për ta ndalë apo hedhur poshtë këtë marrëveshje.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nuk dinë gjë për këtë punë, me arsyetimin se nuk kanë qenë palë në procesin e koncesionimit.

Aeroporti i Prishtinës kalon zyrtarisht nën menaxhimin e konsorciumit Limak – Lyon më 7 shkurt të këtij viti. Kjo është kontrata e parë e koncesionimit në Kosovë. Ky konsorcium i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion.

Neni 41.

Ndalesa për Lënien Peng ose Vendosjen e Barrës mbi Aksionet dhe Interesat në Pronësi Publike:
Aksionet ose interesat tjera pronësore, të cilat janë në posedim ose pronësi të cilitdo autoritet publik në një shoqëri tregtare ose ndërmarrje tjetër, nuk mund të lihen peng, të hipotekohen, të vendosen barrë ose të përdoren si siguri për pagimin ose përmbushjen e çfarëdo detyrimi financiar ose detyrimi tjetër. /Express/Telegrafi/