Kam ndjekur përgjatë shumë ditëve dhe javëve, qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë lidhur me krizën e krijimit të institucioneve te reja legjislative dhe qeverisëse që duhet të krijoheshin pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Pavarësisht deklarimeve të ndryshme të disa prej ambasadorëve më të fuqishëm në Prishtinë, në thelb qëndrimi i tyre është shumë hipokrit. Shumë prej tyre shprehen që ata nuk ndërhyjnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, pasi dhe këtu shfaqet hipokrizia e tyre se “kjo na qenka çështje e brendshme e Kosovës”.
Por, a nuk janë këta ambasadorë që detyruan Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës të mos e shpërndanin Kuvendin pa miratuar krijimin e Gjykatës special e për të ashtuquajturat “krime të UÇK-së”? A nuk janë këta që ndërhynë bile me egërsi për të mos lejuar shndërrimin e FSK-së në FAK? A nuk janë këta ambasadorë që ndërhynë me brutalitet që Kuvendi i Kosovës të miratonte shtyrjen e mandatit të EULEX? Këta janë.
Ndërsa, tani kanë marrin rolin e strucit me cinizëm që nga Zbogar deri tek Cliff. Ata flasin tani me cinizëm dhe hipokrizi se Politika e Kosovës duhet t’i zgjidh vetë problemet e saj, kur në Gjykatën Kushtetuese kanë shumicën, kur atje shqiptarët janë pakicë, kur janë po këta ambasadorë që më marrëveshjen famëkeqe të Brukselit u kanë dhënë të drejtë 50 mijë serbëve, të bllokojnë dy milionë shqiptarë.
Ndërsa, dikush tjetër i këshillon shqiptarët të bëjnë kryengritje dhe trazira me njeri tjetrin!
Nuk dua të mbroj qëndrimet e papërgjegjshme të disa politikanëve shqiptarë në Prishtinë, por dua të denoncoj këtë hipokrizi të neveritshme të BE ndaj një pjese të kombit shqiptar.