Site icon Telegrafi

​Himni serb në shkollat e Luginës së Preshevës, reagon deputeti Shaip Kamberit

Foto: Arkiv

Deputeti shqiptar nga Bujanovci Shaip Kamberi ka reaguar pas vendimit të autoriteteve serbe që në çdo shkollë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të intonohet himni i Serbisë, duke thënë se me këtë Beogradi zyrtar po e vazhdon haptas diskriminimin e tij ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq ka marrë vendim që në çdo klasë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor të intonohet himni i shtetit serb.

Në reagimin e tij, Kamberi thotë se një vendim i tillë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se politizim i panevojshëm i shkollave dhe arsimit për nevojat e patriotizmit të rrejshëm serb.

“Në atmosferën në të cilën Serbia me ligj diskriminon shqiptarët, sidomos në çështjet identitare – mohimi i të drejtës së përdorimit të simbolit kombëtar – çfarëdo vendimi politik, qoftë ai imponues, nuk mund të ndikojë në ngritjen e respektit ndaj diskriminuesit. Nuk do të befasohem nëse vendimi i Juaj i radhës të jetë vendosja e fotografisë së autokratit Vuçiq nëpër shkolla, e pse jo edhe uniformimi i nxënësve me fanellat e SNS”, shkruan Kamberi në Facebook.

Postimi i plotë:

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Serbisë, Branko Ruzhiq, paska marrë vendim që në çdo shkollë e në çdo klasë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, më 1 shtator, të intonohet himni i Serbisë.

Qëllimi i një vendimi të këtillë qenka “respektimi i flamurit, stemës dhe himnit” për ta “ruajtur identitetin tonë”, ka sqaruar ai.

Ministri paska harruar se obligimi i tij primar ndaj fëmijëve, para imponimit të dëgjimit të himnit, është sigurimi i teksteve për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, trajtimi i barabartë në krijimin e kushteve normale nëpër shkolla shqipe dhe njohja e diplomave.

Secili prej nesh duhet të ruajë identitetin e vet dhe kjo është pika në të cilën pajtohemi.

Por, shtrohet pyetja a është himni, intonimin e të cilit Ju po urdhëroni, gjithëpërfshirës apo përjashtues?

A përfaqëson vetëm identitetin serb, apo edhe të pakicave? Si do të ndikojë te pakicat një atmosferë e këtillë imponuese.

Pakicat në Serbi përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë dhe ato kanë identitet të ndryshëm nga ajo që Ju po doni t’i impononi. Kjo është një realitet sado që Ju po mundoheni ta injoroni.

Respekti është raport i dyanshëm. Do të jeni i respektuar në masën e njëjtë që respektoni të tjerët.

Në atmosferën në të cilën Serbia me ligj diskriminon shqiptarët, sidomos në çështjet identitare – mohimi i të drejtës së përdorimit të simbolit kombëtar – çfarëdo vendimi politik, qoftë ai imponues, nuk mund të ndikojë në ngritjen e respektit ndaj diskriminuesit.

Prandaj edhe ky vendim nuk mund të konsiderohet ndryshe përpos politizim i panevojshëm i shkollave dhe arsimit për nevojat e patriotizmit tuaj të rrejshëm.

Nuk do të befasohem nëse vendimi i Juaj i radhës të jetë vendosja e fotografisë së autokratit Vuçiq nëpër shkolla, e pse jo edhe uniformimi i nxënësve me fanellat e SNS.

Exit mobile version