Site icon Telegrafi

Hilmi Mehmeti e quan të paligjshëm shkarkimin e tij nga pozita e kryeshefit të IPK-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi e ka shkarkuar Kryeshefin e Inspektoratit policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, i cili ka qenë i suspenduar nga detyra.

Në një bisedë për Kallxo.com, Mehmeti tha që edhe pse Prokuroria ka mbyllur hetimet ndaj tij, ministri prapë ka marrë vendim për shkarkim.

“Me 14 maj Prokurori i ka mbyllur hetimet me konstatimin se nuk janë gjetur elemente të veprës penale, ndërsa me datë 22, pasi e kam marrë shënimin zyrtar të Prokurorisë, i’u kam drejtuar ministrit Gashi që të më kthej në punë, me rrëzu vendimin e ministrit Sefaj edhe me datën 27, kam pranu një vendim që Ministri Bejtush Gashi më ka shkarkuar, por se ka qit në vendim që hetimet kanë përfunduar”, tha Hilmi Mehmeti.

Ai ka bërë të ditur se do të ankohet për këtë vendim, madje ka konfirmuar se ka angazhuar edhe avokatin Besnik Berisha për këtë çështje.

“Është një vendim i paligjshëm, i padrejtë, i motivuar personalisht dhe i mbështetur askund ligjërisht. Unë do ta atakoj këtë vendim me të gjitha mjetet ligjore dhe për këtë çështje kam angazhuar avokatin Besnik Berisha”, tha në mes tjerash Mehmeti.

Lexo po ashtu Ministri i Brendshëm shkarkon Kryeshefin e suspenduar të IPK-së, Hilmi Mehmeti

Ai në mes tjerash tha se Prokuroria asnjëherë s’ka pasur aktvendim për fillim të hetimeve ndaj tij, por se kanë qenë vetëm, siç thotë ai, hetime preliminare.

“Më 2 shkurt 2018 jam suspenduar nga Ministri Sefaj, për arsye se jam dyshu për veprën penale, ushtrim ndikim e deri në përfundim të hetimeve. Asnjëherë Prokuroria e shtetit s’ka pasur aktvendim për fillim të hetimeve, por në bazë të atij incizimi të montuar dhe një shënimi zyrtar ka zhvillu hetime preliminare, e si qytetar i Republikës u jam përgjigjur Prokurorisë me argumentet e mia”, tha tutje Mehmeti.

Exit mobile version