Më 15 prill 1989, në stadiumin e futbollit Hillsborou, Shefilld, ndodhi një fatkeqësi e madhe, në të cilën, të shtypur në rrëmujën që u shkaktua në fillim të ndeshjes, vdiqën 96 persona dhe 766 të tjerë u lënduar. Kjo është katastrofa më e madhe në futbollin anglez dhe njëra ndër më të rëndat në historinë e futbollit botëror. Tragjedia kishte ndodhur në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës FA, në mes Liverpulit dhe Notingem Forestit, por jehona, procesi, përgjegjësia dhe pasojat vazhdojnë edhe sot në Mbretërinë e Bashkuar.
Menjëherë pas incidentit, ishte thënë se vdekjet ishin shkaktuar nga dështimi i organeve të sigurisë. Organet e sigurisë natyrisht që i takonin zinxhirit të Qeverisë, që atëherë udhëhiqej nga Margaret Theçër, e cila vlerësoi se kjo goditje do të vinte në një kohë shumë të papërshtatshme për reputacionin e ekzekutivit.
Nuk është e qartë nëse vetë Theçër apo vartësit e saj e kishin lutur magnatin medial Mërdok që t’u ndihmonte në tejkalimin e kësaj situate. Dhe, media, konkretisht gazeta ditore “The Sun”, në pronësi të Mërdokut, katër ditë pas ngjarjes doli me artikullin “The Truth” (E vërteta), ku faji për plojën adresohej te tifozët e Liverpulit. Për më shumë, përveç portretizimit standard si huliganë, artikulli në faqen e parë të gazetës më të shitur britanike, akuzoi tifozët e Liverpulit se ishin shkaktarët e fatkeqësisë, se kishin penguar organet e sigurisë, se kishin futur duart në xhepat e viktimave dhe kishin përdhosur (urinuar) kufomat.
Në fillim u duk se zinxhiri qeveritar ia arriti të heq barrën nga vetja, por kështu nuk menduan shumë britanikë, veçanërisht banorët e tifozët e Liverpulit si dhe Shoqata e Viktimave të Hillsborout. Me pak fjalë, presioni qytetar bëri që të iniciohen dhjetëra procese hetimi dhe hulumtimi, të cilat kanë shteruar gjithë çfarë ka ndodhur atë pasdite në Hillsborou.
Përgjatë procesit, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, është zbuluar e vërteta (dështimi i organeve të sigurisë) dhe Qeveria ka kërkuar falje. Murdok po ashtu ka kërkuar falje dhe ka pasur dorëheqje në zinxhirin e forcave të sigurisë. Mirëpo, priten edhe hetime penale.
Për më shumë, kjo nuk përfundoi këtu: gazeta “The Sun” ende nuk lexohet në Liverpul. Për më tepër, ata vazhdojnë të bëjnë antireklamë për të, kudo dhe kurdo. Liverpulianët nuk e kanë harruar komplotin, gënjeshtrën dhe fyerjen që ua kishte bërë kjo gazetë. Gazeta më e shitur në ishull (p.sh. në vitin 2016, mesatarisht nga 1.8 milion kopje në ditë), gati se nuk duket fare në njërin ndër qytetet më të mëdha angleze. Edhe pakkush që e lexon, për arsye etike, e mban të paekspozuar. Jo nga frika, por për të mos trazuar plagën, për të mos harruar, për të mbajtur mend, për të përkujtuar. Sepse, përkujtimi është detyrë! Dhe ky është një mësim për ne.
Krejt bota na akuzon se në Ballkan jetohet në të kaluarën, se askush këtu nuk harron dhe se kujtesa historike shkakton përsëritjen e gjëmave e plojave. Unë nuk mendoj ashtu. Së paku, nuk mendoj se kjo vlen për ne shqiptarët, në të katër anët e këtij gadishulli. Unë mendoj pikërisht të kundërtën. Ne, shqiptarët, nuk kemi kujtesë historike dhe se, pikërisht, harresa jonë kolektive shkakton përsëritjen e historisë.
Po, lexues i nderuar i këtyre rreshtave, unë jam i bindur: shqiptarët harrojnë shpejt, shumë shpejt, harrojnë menjëherë. Në lidhje me gjërat që po i bisedojmë këtu – jo për këngët folklorike dhe baladat romantike – shqiptarët nuk kanë kujtesë, as personale e as kolektive. Dhe kjo jo vetëm që shkakton, por edhe josh e nxit fqinjët tanë të na bien në qafë. E pse jo, peshkimi jo vetëm që është ekonomik, por edhe romantik!
Të gjithë dimë për shumë shqiptarë Kosove, që në verën e vitit 1999, gjysmën e ditës e kanë kaluar në varrimet ose ngushëllimet/të pamet e viktimave të pafajshme dhe gjysmën tjetër të ditës e kanë kaluar në kërkim të klientëve të biznesit në Serbi. Pasdite, dy-tri lopata dhé mbi trupin njomak të fëmijës trevjeçar, ndërsa në mbrëmje dy-tri birra me partnerin tregtar serb matanë kufirit.
Dhe, kush më thotë se kemi kujtesë. Kjo është kujtesë peshku, o njerëz të mirë! Paradite nxjerrje dhe identifikim i trupave të dekompozuar nga puset e gropat, pasdite kontratë për furnizim me artikuj ushqimorë për fëmijët tanë të traumatizuar. (“Jo, jo, 1700 fëmijë na i vranë, ama keksat sikur këta nuk i prodhon kurrkush, ja kurrkush!”)
Por, ta lehtësojmë pak bisedën!
E pamë çfarë ka ndodhur me gazetën “The Sun” në Liverpul? E pra, po ju tregoj në besë, se menjëherë pas lufte unë kam parë e dëgjuar vëllezërit e motrat shqiptare se po ua “rrokte” ende RTS-in dhe pa i dëgjuar ata, nuk mund t’i përmbushin nevojat e informacionit. Këto po i thoshin për shtëpinë zyrtare të gënjeshtrës serbe, për televizionin fashist, RTS, që ka pasur hise të madhe në stigmatizimin, dehumanizimin, ndjekjen, deportimin dhe, sidomos, vrasjen e zhdukjen e popullit shqiptar në Kosovë.
Dëgjoja me lemeri shqiptarët e mi duke thënë se po i përcjellin mediat opozitare serbe, sepse ato janë të ndryshme. Dhe, ta shkruajmë diku, kjo ndodhte disa javë pasi serbët kishin vrarë më shumë se 13 mijë shqiptarë, emrat e të cilëve media serbe i kishte vrarë më herët. Sepse, sikur thotë fjala e vjetër: “Së pari ta vras emrin tënd, pastaj të vras ty”!
Mund të flasim pastaj për telefoninë mobile. Për disa cent më lirë, shqiptarët e Kosovës, ata që i kanë shpëtuar thikës serbe, ata që i janë nënshtruar dehumanizimit në llogoret dhe kolonat e deportimit, ata që kanë kërkuar vdekjen më mirë se sa edhe një orë nën tortura, i kanë përdorur me krenari rrjetat e telefonisë ilegale serbe në Kosovë. Mund të vazhdojmë pambarimisht me shembuj të ngjashëm (p.sh. mund të bëjmë pyetjen se me çfarë tjegullash i kemi mbuluar shumicën e shtëpive të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës), mirëpo, mund të më akuzoni se po kërkoj shumë.
Në rregull, po e relaksojmë bisedën edhe më.
Në Kosovë – por kjo është e njëjtë në krejt trevat e banuara me shqiptarë – ka më shumë se 15 vjet që shumë gazeta, revista e portale na gënjejnë, mashtrojnë e fyejnë pareshtur dhe kurrgjë kurrkujt. Prapë, të nesërmen ndalemi te kioska dhe blejmë atë gazetën që na ka fyer dhe gënjyer. Prapë, së voni, kurrë pa pushim, gjithë ditën, po edhe natën, e lume, klikojmë në portalet që shumicën e parave i fitojnë duke e gënjyer, duke e mashtruar, duke e çorientuar, duke e sharë këtë popull. Këtë popull pa kujtesë, sidomos pa kujtesë kolektive. Këtë popull që flet, lexon, këndon, vallëzon, hallakatet, gjakon e gulçon për të mos regjistruar asgjë, për të mos mbajtur mend asgjë, për të harruar gjithçka.
Dhe, dy momente, krejt të ndryshme, më bien në mend mu tani. Koha kur kemi filluar ta shkruajmë së pari gjuhën tonë dhe ajo anekdota kur shqiptari hyn në akuarium dhe tenton t’ia imponojë vullnetin një peshku!!!
Megjithatë, le të festojmë e t’i harrojmë të gjitha!
A s’thotë kështu edhe një këngë e bukur shqipe?!